Vendosni fjalën kyçe....

Begaj në 60-vjetorin e Batalionit të Mbështetjes: Uniforma shqiptare është simbol i disiplinës, përkushtimit dhe dinjitetit kombëtar


Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë sot në ceremoninë e 60-vjetorit të themelimit të Batalionit të Mbështetjes së Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, ku vlerësoi rolin dhe përkushtimin e kësaj njësie elitë në shërbim të vendit.

Në fjalën e tij, Kreu i Shtetit theksoi se brezi i sotëm i ushtarakëve është trashëgimtar i uniformës dhe i nderit të atyre që kanë shërbyer më parë, duke mbajtur të gjallë frymën e sakrificës dhe përkushtimit ndaj atdheut.

“Brezi i sotëm, trashëgon jo vetëm uniformën, por edhe nderin e atyre që shërbyen para jush, duke e mbajtur të gjallë frymën e përkushtimit ndaj atdheut. Kjo njësi si të gjithë Forcat e Armatosura, kanë hyrë në një epokë të re, më e motivuar në misionin e saj, më moderne në pajisje dhe aftësi dhe më e respektuar në shoqërinë shqiptare. Sot, uniforma e ushtarakut shqiptar është simbol i disiplinës, i përkushtimit dhe i dinjitetit kombëtar”, deklaroi Begaj.

Ai vlerësoi gjithashtu kontributin e Forcave të Armatosura në misionet e NATO-s, OKB-së dhe BE-së, duke nënvizuar se falë disiplinës dhe profesionalizmit të efektivëve shqiptarë, roli i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare është forcuar dhe bërë i dukshëm.

Në kushtet e sfidave të sigurisë dhe gjeopolitikës, Presidenti Begaj nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit me NATO-n dhe partnerët strategjikë, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për paqen, stabilitetin dhe modernizimin e Forcave të Armatosura.

Një mirënjohje të veçantë, Kreu i Shtetit e përcolli për Truprojën e Nderit dhe Orkestrën Frymore, të cilat sipas tij kanë përfaqësuar me dinjitet uniformën shqiptare në ceremoni kombëtare dhe ndërkombëtare.

“E them me bindje se efektivët e Truprojës së Nderit dhe Orkestrës Frymore e kanë nderuar uniformën e shenjtë me ngjyrat e flamurit”, theksoi Presidenti Begaj.