
Presidenti i SHBA, Donald Trump, njoftoi nga Shtëpia e Bardhë se kompania farmaceutike Pfizer do të ulë çmimet e barnave, duke e quajtur këtë një hap të madh për konsumatorët amerikanë.
“Sot po e kthejmë rrjedhën dhe po përmbysim një situatë të padrejtë,” tha CEO i Pfizer, Albert Bourla, i cili shtoi se administrata Trump i ka dhënë kompanisë një periudhë trevjeçare lehtësimi dhe përjashtim nga tarifat 232, për sa kohë që prodhimi zhvendoset në SHBA, përcjell Reuters.
Trump u pyet nga gazetarët se cilat kompani të tjera do të ndiqnin këtë hap, duke përmendur Eli Lilly: “Eli Lilly ka qenë fantastike… të gjitha po vijnë gjatë javës së ardhshme. Po bëjmë marrëveshje me të gjithë.”
Megjithatë, tre kompani të mëdha farmaceutike thanë për Reuters se u kapën në befasi nga njoftimi dhe po përpiqen të kuptojnë pasojat e tij.
Në konferencën për shtyp, Trump përsëriti kërcënimin se administrata e tij do të vendosë tarifa të larta për importet farmaceutike, pas hetimeve tregtare që janë duke u zhvilluar.
Qeveria paralajmëroi gjithashtu nisjen e një faqeje të re, TrumpRX, e cila do të shesë barna drejtpërdrejt për konsumatorët amerikanë.
Megjithatë, këshilltari i lartë pranë Sekretarit të Shëndetësisë, Chris Klomp, tha se faqja nuk është ende aktive, por do të lançohet “së shpejti.”