Vendosni fjalën kyçe....

Komisioni Evropian nxit tranzicionin e energjisë së pastër në Afrikë me paketën prej 545 milionë euro



Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shpalli një paketë investimesh prej 545 milionë eurosh nga Team Europe për të përshpejtuar tranzicionin e Afrikës drejt energjisë së pastër. Ky njoftim u bë përmes një mesazhi video në Festivalin Global Citizen, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe shënon një hap të rëndësishëm në fushatën ndërkombëtare “Scaling Up Renewables in Africa” që organizohet së bashku me Presidentin e Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa.

Kjo fushatë synon të rrisë ndërgjegjësimin global dhe të mobilizojë investime publike dhe private për prodhimin dhe aksesin në energji të rinovueshme në kontinentin afrikan.

“Zgjedhjet që bën Afrika sot po formësojnë të ardhmen e tërë botës. Një tranzicion i energjisë së pastër në Afrikë do të krijojë vende pune, stabilitet, rritje ekonomike dhe do të ndihmojë në arritjen e qëllimeve tona globale për klimën,” tha Presidentja von der Leyen. “Bashkimi Evropian, përmes planit të investimeve Global Gateway, është i përkushtuar plotësisht për të mbështetur Afrikën në këtë rrugë.”

Përkundër potencialit të madh të energjisë së rinovueshme në Afrikë, rreth 600 milion njerëz ende jetojnë pa akses në elektricitet. Investimi në energji diellore, erë, hidraulike dhe gjeotermale është jo vetëm një detyrë morale dhe zhvillimore, por edhe një zgjedhje strategjike që do të krijojë deri në 38 milion vende të reja pune deri në vitin 2030 dhe do të forcojë zinxhirët e furnizimit dhe qëndrueshmërinë e sistemeve energjetike.