
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e ftuar në News24, u shpreh se opozita duhet të bashkohet për të zgjedhur një kandidat të vetëm për bashkinë e Tiranës.
“Unë uroj që të gjitha forcat opozitare të dalin me një kandidat. Pala tjetër, pavarësisht se mund të ndryshojë emrin e kandidatit, në thelb ofron të njëjtin model,” tha Tabaku.
Ajo shtoi se ish-kryetari i bashkisë ka nisur një çështje në Gjykatën Kushtetuese dhe shprehu shpresën që të mos shpallet një datë zgjedhjesh pa u zgjidhur kjo çështje.
“PD ka një proces të qartë për të zgjedhur kandidat. Fatin e Erion Veliajt e vulosi Edi Rama me vendimin e tij, dhe vendosi në punë Këshillin Bashkiak të Tiranës. Është shumë e vështirë ta mundësh këtë sistem, por është e mundur,” tha ajo.
Tabaku kritikoi gjithashtu mazhorancën për prioritetet e saj, duke theksuar se PS nuk ka fokus integrimin në BE, por ndarjen e pasurive.
“E paprecedentë që Kuvendi nis pa raportimin e institucioneve të pavarura. Legjislatura nisi edhe pa debat për programin dhe kjo është jashtë logjike. Kjo është qeveri e re, me probleme të vjetra. Për PS-në, s’është prioritet integrimi, por ndarja e pasurive. PD është e angazhuar për integrimin në BE dhe do të mbrojë Kushtetutën. Ne kërkojmë zgjedhje të parakohshme në çdo moment,” tha Tabaku.
Ajo vuri në dukje gjithashtu mungesën e vullnetit për transparencë dhe përfshirje të opozitës në komisionet parlamentare: “Edhe ndarjet në parlament janë bërë sipas asaj që dëshiron mazhoranca, edhe Komisioni i Integrimit nuk i është lënë opozitës, që më herët e ka drejtuar. ODIHR kishte raport paraprak shumë problematik për zgjedhjet.”