Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku akuzon maxhorancën: Po shpikni komisione për t’i gjetur punë Xhafajt, Kuvendi nuk është polici i qeverisë


Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në nisje të seancës plenare ka kërkuar që të merret në konsideratë kërkesa e opozitës për mocion me debat mbi programin qeverisës dhe interpelancë lidhur me rrugën e integrimit europian.

“Për dy çështje që janë të rëndësishme që të theksohen që në fillim në këtë seancë, që lidhen me procesverbalin. Kemi kërkuar një mocion me debat për programin e qeverisë dhe një interpelancë për programin e qeverisë sa i takon rrugës së integrimit europian. U theksua në seancën e kaluar, po theksohen dhe tani,” deklaroi Tabaku.

Ajo akuzoi maxhorancën për shpërndarje të padrejtë të përgjegjësive mes komisioneve parlamentare, duke theksuar:
“Ne patëm një debat të gjatë në Konferencën e Kryetarëve për komisionet. Ka vetëm një komision përgjegjës! Siç e thotë rregullorja në nenin 37. Komisioni i përgjegjës mban përgjegjësi për raportimin e institucioneve. Nuk ka disa komisione të privilegjuara dhe disa të dorës së dytë.”

Duke iu referuar ngritjes së Komisionit të posaçëm, deputetja demokrate theksoi se Kuvendi është kthyer në një mjet politik i maxhorancës.


“Të gjitha komisionet kanë të njëjtën rëndësi. Ky policimi i Kuvendit dhe ruajtja e Kuvendit me një komision që e keni sajuar për t’i gjetur një punë Xhafës, nuk duhet të marrë përgjegjësinë e komisioneve të tjera parlamentare.”-
u shpreh Tabaku.

Tabaku shtoi se mazhoranca duhet të ndalë praktikat e “margjinalizimit të opozitës” dhe të respektojë rregulloren e Kuvendit.

“Çdo tentativë për të shpikur komisione paralele dhe për të zhvendosur përgjegjësitë është antikushtetuese dhe anti-parlamentare. Ju nuk mund ta ktheni Kuvendin në një zgjatim të qeverisë.”- tha ajo.