Vendosni fjalën kyçe....

Noteres në Tiranë i sekuestrohen 3 milionë euro pasuri


Një notereje në Tiranë i janë vënë në sekuestro preventive 13 pasuri të paluajtshme si dhe 5 llogari bankare, vlera e saktë e të cilave nuk dihet ende.

Mes pasurive është edhe një vilë në Rolling Hills. Sipas prokurorisë së Tiranës, dyshohet se noterja Sanja Telhallari i ka përfituar pasuritë nga veprimtar kriminale.

Në njoftimin e organit të akuzës thuhet se një pjesë e fondeve për blerjen e pasurive kanë ardhur nga ish-bashkëshorti I saj, me iniciale K.P. I shpallur në kërkim nga Italia pasi akuzohet për shfrytëzim prostitucioni.

Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave pranë Policisë së Tiranës prej disa kohësh kishte nisur hetimet për pasuritë e noteres Sanja Telhallari. Hetimet nisën që pas ngjarjes ku në zonën e Astirit tentuan që ti vidhnin mjetin noteres. Hetuesit panë që mjeti luksoz i noteres “G Class” si dhe verifikuan pasuritë e tjera të saj, të cilat nuk justifikoheshin nga të ardhurat.

“Në kuadër të një procedimi penal, të iniciuar në Prokurorinë e Tiranës, me objekt gjurmimin e aseteve kriminale, të dyshuara të përfituara nga shtetasja S. T., 35 vjeçe, banuese në Tiranë, gjatë kryerjes së detyrës si notere, Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale finalizoi operacionin “Nënshkrimi”. Në vijim të veprimeve procedurale, të kryera në kuadër të këtij procedimi, u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Tiranës, për ekzekutimin e 18 pasurive të 35-vjeçares, me vlerë 3 milionë euro, konkretisht 13 pasuri të paluajtshme dhe 5 llogari bankare”, njoftoi Policia e Tiranës.

Njoftimi i prokurorisë

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë sekuestron pasuritë e paluajtshme në pronësi të shtetases S.T. me profesion notere si dhe të familjarëve të saj.

Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se gjatë periudhës 2013–2024, shtetasja S.T. ka kryer një numër të konsiderueshëm transaksionesh për blerjen e pasurive të paluajtshme, përfshirë apartamente, dyqane, poste parkimi dhe një vilë në kompleksin “Rolling Hills”. Në total janë evidentuar 13 pasuri të paluajtshme, me vlera të larta monetare si dhe llogari të shumta bankare.

Kjo shtetase ka investuar në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, kryesisht në makina luksoze dhe sende me vlerë të cilat nuk justifikohen nga pikëpamja ekonomike me të ardhurat nga aktiviteti i saj si notere.

Nga verifikimet, u konstatua një mospërputhje e dukshme midis të ardhurave të ligjshme të deklaruara dhe shpenzimeve të kryera për këto investime. Dyshohet se një pjesë e fondeve të përdorura për blerjen e pasurive kanë ardhur nga ish-bashkëshorti i saj, shtetasi K.P., i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane dhe është dënuar për vepra të rënda penale, përfshirë veprën penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit”, me një dënim maksimal deri në 21 vjet burgim.

Vendosja e masës së sekuestros preventive synon të garantojë ruajtjen e pasurive gjatë hetimit penal dhe të parandalojë transferimin apo përdorimin e tyre për fshehjen e origjinës së paligjshme.

Prokuroria vijon hetimet për dokumentimin e plotë të burimeve financiare dhe të pasurive të dyshuara.”