Kreu i PD-së Berisha tha sot se nuk do ndalet së foluri për narkoshtetin e Edi Ramës ndërsa rezervoi edhe një përgjigje për diplomatët.
“Ka edhe sot diplomatë që nuk duan të dëgjojnë dhe thonë se Berisha po e tepron me këtë punën e narkoshtetit, por Berisha thotë vetëm të vërtetën. Jo më kot administrata Trump i shpalli kartelet e drogës organizata terroriste dhe gjithnjë e më shumë vende po e shohin rrezikun e trafikut të drogës dhe karteleve të kokainës. U them atyre se dielli me shoshë nuk mund të mbulohet.” – tha Berisha.
I pyetur mbi kandidatët e PD-së në garën për Bashkinë Tiranë, Berisha tha se në diskutim janë disa kandidatë që janë ku e ku më lart se kandidatja e PS-së, ish-ministrja Ogerta Manastirliu. Sipas kreut të opozitës, mbi Manastirliun rëndojnë dhjetëra dosje korrupsioni dhe paraajmëroi se shumë shpejt ajo do ketë fatin e Erion Veliajt.
“Opozita ka disa kandidatë, të pakrahasueshëm me korbën e korrupsionit. U kujtoj vetëm tronditjen e tmerrshme të Ogertës kur Rama e propozoi si kandidate për Bashkinë e Tiranës. Ajo e kuptoi se Edi Rama e la atë, e dorëzoi atë në fatin e Erion Velisë. Ky i fundit ka vendosur të bëjë betejën e tij dhe hodhi poshtë propozimin e Gjushit që u fut në burg për këtë arsye.” – shtoi Berisha.
