
Presidenti Donald Trump deklaroi të shtunën se ka udhëzuar Sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, që të “sigurojë të gjitha trupat e nevojshme” në Portland, Oregon.
Në një postim në rrjetin Truth Social, presidenti shkroi se trupat do të “mbrojnë Portlandin e shkatërruar nga lufta” dhe do të ruajnë objektet e Shërbimit të Emigracionit dhe Doganës (ICE), të cilat ai pretendoi se janë “nën sulm nga Antifa dhe terroristë të tjerë të brendshëm”.
Trump shtoi se po “autorizon përdorimin e forcës së plotë, nëse është e nevojshme”, por nuk dha detaje se çfarë nënkuptonte kjo.
Presidenti është shprehur shpesh negativisht për Portlandin, duke e cilësuar qytetin si një vend ku sundon “anarkia”. T
ë enjten, ai deklaroi: “Shkoni në Portland dhe shihni, njerëzit vdesin atje. Shumë kanë vdekur ndër vite. Nuk e di si jeton dikush atje. Është anarki, dhe pikërisht këtë duan ata”.
Në një deklaratë tjetër javën e kaluar, ai e përshkroi Portlandin si një qytet me njerëz “jashtë kontrollit, të çmendur”.
Megjithatë, zyrtarë të Pentagonit i thanë NBC News se u habitën nga postimi në Truth Social dhe nuk ishin në dijeni për ndonjë urdhër konkret për dërgimin e trupave në Portland.
Ata shtuan se nuk kishin informacione mbi madhësinë apo natyrën e operacionit, apo nëse do të përfshinte Gardën Kombëtare apo trupa aktive.
Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, në një deklaratë tha: “Ne jemi të gatshëm të mobilizojmë personel ushtarak amerikan në mbështetje të operacioneve të DHS në Portland, me urdhër të Presidentit. Departamenti do të japë informacion dhe përditësime sapo të jenë të disponueshme”.
Ky zhvillim vjen pas një incidenti në Dallas, ku një person i armatosur qëlloi mbi zyrën e ICE, duke plagosur dy të ndaluar dhe duke vrarë një tjetër.
Ndërkohë, autoritetet vendore në Portland u bënë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të qetë. Kryetari i bashkisë, Keith Wilson, tha të premten: “Kjo është një lajm i zhgënjyeshëm. Ne nuk i kemi kërkuar ata të vijnë. Janë këtu pa precedent dhe pa qëllim. E kemi parë si prania e tyre dëmton tregtinë, prosperitetin dhe mundësitë në qytete të tjera si Washington, D.C.”
Senatori demokrat Jeff Merkley gjithashtu i bëri thirrje qytetarëve të shmangin përplasjet me forcat federale: “Ne nuk do të biem në grackë. Është e drejtë të shprehësh mendimet dhe të protestosh, por kjo bëhet më mirë larg trupave federale”.
Guvernatorja e Oregonit, Tina Kotek, tha të shtunën se këmbëngulja e presidentit për vendosjen e trupave federale në Portland është “e paimagjinueshme” dhe nuk i përgjigjet problemeve reale të komunitetit: “Qyteti ynë është shumë larg asaj që ai përshkruan si një vend të shkatërruar nga lufta. Ia thashë këtë edhe drejtpërdrejt në bisedën tonë. Ai mendon se këtu ka elementë që po krijojnë një kryengritje. Ia bëra të qartë që nuk ka asnjë kryengritje dhe se ne e kemi situatën nën kontroll”.
Kotek shtoi se nuk beson që presidenti ka autoritetin ligjor për të vendosur trupa federale në shtet dhe se po bashkëpunon me prokuroren e përgjithshme për një përgjigje ligjore.
Ndërkohë, kryebashkiaku Wilson tha se do të nënshkruajë një deklaratë të përbashkët vlerash me një grup kryetarësh të tjerë bashkish rajonale: “Kjo është ajo që na duhet tani, jo trupa pushtuese”.
Trump ka qenë i zëshëm prej kohësh për qëndrimet e tij ndaj Portlandit, që gjatë mandatit të tij të parë e shpalli një “juridiksion anarkist”.
Ai gjithashtu ka kërcënuar shpesh me dërgimin e trupave federale në qytete të tjera të drejtuara nga demokratët, si Çikago, Baltimora dhe New Orleans, duke shkaktuar reagime të forta nga autoritetet lokale.
Në fillim të këtij muaji, presidenti nënshkroi një memorandum për ngritjen e një task-force që do të mobilizojë Gardën Kombëtare dhe forcat federale në Memphis, Tennessee, një vendim i mbështetur nga guvernatori republikan Bill Lee.
Në gusht, Trump gjithashtu autorizoi vendosjen e Gardës Kombëtare dhe një prani të shtuar të forcave federale në kryeqytet. Megjithëse kryebashkiakja e Washingtonit, Muriel Bowser, e pranoi se kjo kishte ulur përkohësisht kriminalitetin, ajo theksoi se prania e trupave “nuk po funksionon”.
Në fillim të shtatorit, Washington ngriti padi ndaj administratës Trump, duke e akuzuar për “vendosje të paligjshme” të Gardës Kombëtare në qytet.
Kjo ndodhi pak ditë pasi një gjykatës federal në Kaliforni vendosi se administrata kishte shkelur ligjin që ndalon përdorimin e ushtrisë në aktivitetet e zbatimit të ligjit civil. Në qershor, Trump kishte mobilizuar 4,000 pjesëtarë të Gardës Kombëtare dhe 700 marinsa në Los Anxhelos për të shtypur protestat kundër bastisjeve të ICE.