Vendosni fjalën kyçe....

Grupi i PD i mandatuar nga Berisha takon Tedi Blushin për përzgjedhjen e kandidatit për kryetar bashkie të Tiranës



Në kuadër të takimeve të vazhdueshme për përzgjedhjen e kandidatit të opozitës për kryetar bashkie të Tiranës, treshja e mandatuar nga Sali Berisha, Flamur Noka, Belind Këlliçi dhe Ilir Alimehmeti, ka zhvilluar një takim të dielën me Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar (PL), Tedi Blushi.

Pas takimit, Flamur Noka njoftoi se dita e shpalljes së kandidatit do të jetë shumë e shpejtë. Ai theksoi se procesi është duke u zhvilluar sipas procedurave të dakorduara dhe se vendimi për emrin final do të merret pas konsultimeve të mëtejshme. “Ne jemi opozitë dhe forcë demokratike, ndaj ndjekim hapat dhe procedurat. Kjo është çështje ditësh, dhe shumë shpejt do të keni emrin e kandidatit të opozitës,” tha Noka.

Në lidhje me përzgjedhjen, Noka shtoi se partitë parlamentare që përjashtohen nga ky proces janë vetëm ato të majta radikale, përfshirë atë të Arlind Qorrit.

Nga ana e tij, Blushi deklaroi se kandidatura e opozitës do të jetë gjithëpërfshirëse, duke e krahasuar procesin e zgjedhjes me emërimin e kandidates së Partisë Socialiste, që sipas tij, ka qenë e emëruar. “Kandidatura e opozitës do të jetë gjithëpërfshirëse dhe jo kandidaturë e emëruar. Përballë kandidates së COVID, ne po zgjedhim vaksinën e duhur, që do të shërojë një herë e përgjithmonë kryeqytetin,” tha Blushi.

Të shtunën, Noka, Këlliçi dhe Alimehmeti takuan gjithashtu ish-deputetët Fatmir Mediu dhe Agron Duka, si pjesë e konsultimeve për përzgjedhjen e kandidatit.