Vendosni fjalën kyçe....

Belind Këlliçi: Raporti i DASH zbardh realitetin e vështirë të klimës së investimeve në Shqipëri



Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar për raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) mbi klimën e investimeve në Shqipëri. Në një postim në Facebook, Këlliçi e ka cilësuar raportin si një “skaner realist kundër propagandës dhe mashtrimeve qeveritare”.

Sipas tij, raporti pasqyron realitetin ku pengesat korruptive nga qeveria po ngulfatin rritjen ekonomike, pengojnë investimet e huaja direkte dhe ngadalësojnë përafrimin e Shqipërisë me vendet europiane.

Në raport theksohet niveli i ulët ekonomik i vendit, me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) që arrin vetëm një të katërtën e mesatares së Bashkimit Europian. Këlliçi denoncon propagandën qeveritare për 10 milionë turistë dhe përpjekjet për mbylljen e kapitujve, duke e cilësuar këtë si një realitet të largët nga varfëria e lartë dhe mungesa e sigurisë ekonomike për qytetarët shqiptarë.

Ai thekson se korrupsioni, në nivele qendrore dhe lokale, është një pengesë e madhe për ekonominë, duke penguar sipërmarrjen e lirë dhe besimin tek biznesi. Sipas Këlliçit, qeveria ka dështuar në reformat strukturore, duke injoruar sektorin industrial, fermerët dhe duke favorizuar klientelën e saj me dhurime të pasurive kombëtare.

Raporti vë në dukje gjithashtu praninë e të ardhurave të paligjshme nga trafiku i drogës, kontrabanda dhe evazioni fiskal, që shtrembërojnë konkurrencën dhe minojnë klimën e investimeve. Problemet me të drejtën pronësore dhe prokurimet publike të korruptuara mbeten sfida të mëdha për zhvillimin ekonomik.

Belind Këlliçi përfundon duke kërkuar largimin sa më parë të qeverisë aktuale, që sipas tij po pengon lirinë ekonomike dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptarë.