
Biliarderi Elon Musk dhe Princi Andrew janë përfshirë në dokumentet e fundit të publikuara nga demokratët në Kongres lidhur me të ndjerin Jeffrey Epstein, i dënuar më parë për abuzim seksual.
Dokumentet, të dorëzuara Komitetit të Mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve nga pasuria e Epstein, tregojnë se Musk ishte ftuar në ishullin e financierit në dhjetor 2014, ndërsa një manifest fluturimi nga New Jersey në Florida në maj 2000 përmend princin Andrew mes pasagjerëve, sipas BBC.
Musk dhe Princi Andrew janë kontaktuar për koment, por deri tani nuk kanë reaguar publikisht. Andrew ka mohuar çdo veprim të gabuar, ndërsa Musk më parë është cituar duke thënë se ishte ftuar, por kishte refuzuar.
Dokumentet përfshijnë mesazhe telefonike, kopje të regjistrave të fluturimeve dhe manifestet e avionëve, llogari financiare dhe programin e përditshëm të Epstein.
Përveç Musk dhe princit Andrew, dokumentet përmendin edhe figura të tjera publike, si sipërmarrësi Peter Thiel dhe ish-këshilltari i Trump, Steve Bannon.
Një nga regjistrat e datës 6 dhjetor 2014 përmend: “Reminder: Elon Musk to island Dec. 6 (is this still happening?)”.
Një manifest fluturimi regjistron princin Andrew në një udhëtim me Epstein dhe bashkëpunëtoren e tij Ghislaine Maxwell nga Teterboro, New Jersey, në West Palm Beach, Florida, më 12 maj 2000. Maxwell u dënua në 2021 për komplot me Epstein për trafikun e vajzave për qëllime seksuale.

Disa nga regjistrat përmbajnë pagesa të shënuara për “Andrew” për masazhe në shkurt dhe maj 2000, por nuk është e qartë nëse referimi është për princin Andrew.
Dokumentet gjithashtu përmendin një drekë të planifikuar me Peter Thiel në nëntor 2017, një mëngjes me Steve Bannon më 17 shkurt 2019, dhe plane për një mëngjes me Bill Gates në dhjetor 2014.
Nuk ka sugjerime se personat e përmendur ishin të vetëdijshëm për aktivitetet kriminale për të cilat Epstein u arrestua më vonë. Epstein ndërroi jetë me vetëvrasje në një qeli burgu në New York në gusht 2019, duke pritur gjykimin për trafikim seksual.
Zëdhënësja e demokratëve në Komitetin e Mbikëqyrjes, Sara Guerrero, u bëri thirrje Prokurorit të Përgjithshëm amerikan Pam Bondi të publikojë më shumë dokumente lidhur me Epstein, duke theksuar se çdo dokument i ri sjell informacion të ri për drejtësinë për viktimat.
Republikantët e akuzuan demokratët për “politikë mbi viktimat” dhe paralajmëruan se do të publikojnë të gjithë dokumentet së shpejti.