Vendosni fjalën kyçe....

Trump thotë se “do ketë të tjerë” që do ndiqen penalisht pas ish-shefit të FBI-së Comey


Presidenti Trump u tha gazetarëve se pret që të tjerë të ndiqen penalisht pas aktakuzës ndaj ish-drejtorit të FBI-së, James Comey.

“Nuk është një listë, por mendoj se do ketë të tjerë,” i tha Trump Kevin Liptak të CNN të premten, ndërsa largohej nga Shtëpia e Bardhë.

Trump shtoi: “Dua të them, ata janë të korruptuar. Këta ishin demokratë të korruptuar, të majtë radikalë. Do ketë të tjerë. Ky është mendimi im. Ata e përdorën Departamentin e Drejtësisë si askush në histori. Ajo që kanë bërë është e tmerrshme, shpresoj, të ketë të tjerë sepse nuk mund ta lejosh që kjo t’i ndodhë një vendi.”

Departamenti i Drejtësisë të enjten ngriti padi kundër Comey vetëm disa ditë pasi Trump i kërkoi atij ta ndiqte penalisht, shkruan CNN.

Trump të premten sugjeroi se çështja kundër Comey do ishte “mjaft e lehtë”. Comey është akuzuar penalisht për dy krime, të dyja të lidhura me një gënjeshtër që ai pretendohet se i tha Kongresit në vitin 2020. Gjatë asaj dëshmie të vitit 2020, Comey i përsëriti Senatit se nuk kishte autorizuar rrjedhje informacionesh për shtypin kur ishte drejtor i FBI-së në krye të hetimeve të ndjeshme të vitit 2016. Padia e Departamentit të Drejtësisë tha se Comey kishte “autorizuar” një kontakt për të shërbyer si një burim anonim në raportet e lajmeve.

“Është një rast mjaft i lehtë, sepse, ai gënjeu. Kjo ishte një pyetje shumë e rëndësishme që iu bë, dhe ai donte të ishte specifik, por nuk e bëri – e vetmja gjë që i ndodhi, ai nuk mendonte se do kapej. Kjo ishte një përgjigje shumë e rëndësishme, ishte një përgjigje shumë e mirë nëse nuk do kapej, por ai u kap duke gënjyer Kongresin,” tha Trump.