Vendosni fjalën kyçe....

“Kryetarja i fshin mesazhet në telefon për të liruar hapësirë” – Zëdhënësi justifikon Von der Leyen-in


Presidentja e Komisionit Evropian thotë se i fshin automatikisht mesazhet nga telefoni i saj për të liruar hapësirë në telefon, tha ekzekutivi i BE-së këtë javë.

Ekspertët e teknologjisë kanë vetëm një pyetje: Vërtet?

Fshirja e mesazheve për të kursyer hapësirë “tingëllon bukur, por edhe e vështirë për t’u besuar. Le të mos na bëjë për budallenj, nuk jemi vitet 1990″, tha Lukasz Olejnik, bashkëpunëtor i lartë kërkimor në King’s College London dhe ekspert i sigurisë kibernetike.

“Një mesazh me tekst nuk zë aspak hapësirë në një telefon modern. Do duhej të merrje qindra mijëra mesazhe që të bënte vërtet një ndryshim në hapësirën e telefonit, tha profesionistja belge e sigurisë kibernetike Inti De Ceukelaire, duke e quajtur shpjegimin e Komisionit “pa argument”.

“Pse nuk kalon në një telefon me më shumë hapësirë ruajtjeje?” pyeti Francisco Jeronimo, nënkryetar për të dhënat dhe analizat në firmën e kërkimit të tregut të teknologjisë IDC në Evropë, shkruan Politico.

Ursula von der Leyen është në qendër të vëmendjes për shkak të një mesazhi me tekst që mori nga presidenti francez Emmanuel Macron vitin e kaluar, i cili e nxitte të bllokonte marrëveshjen tregtare BE-Mercosur, siç u raportua për herë të parë nga POLITICO. Mesazhi u fshi më pas nga telefoni i Von der Leyen, tha Komisioni në përgjigje të një kërkese për informacion nga gazetari i “Folloë the Money”, Alexander Fanta.

Të mërkurën, zëdhënësi i Komisionit, Olof Gill, u tha gazetarëve: “Mesazhet fshihen automatikisht pas një kohe, vetëm për arsye hapësire.”

Ai shtoi me shaka: “Përndryshe, telefoni do prishej.”

Një tjetër zëdhënës, Balazs Ujvari, shtoi se kjo gjithashtu ndihmon në parandalimin e shkeljeve të sigurisë, por e  përforcoi idenë se ishte një mjet për të kursyer hapësirë: “Nga njëra anë, zvogëlon rrezikun e rrjedhjeve dhe shkeljeve të sigurisë, gjë që është sigurisht një faktor i rëndësishëm… Dhe gjithashtu, është çështje hapësire në telefon, pra, përdorimi efektiv i një pajisjeje mobile.”

Sigurisht, shumë evropianë kanë luftuar me ruajtjen e mbingarkuar të telefonit. Por për shumicën është çështje videosh të mëdha dhe fotografish familjare që po bllokojnë pajisjet.

“Mesazhet zënë shumë hapësirë nëse bëhet fjalë për video, regjistrime zanore”, tha Jeronimo i IDC, ndërsa mesazhet me tekst “nuk zënë pothuajse asgjë nga memoria”.

Komisioni i tha stafit të tij në vitin 2020 që të fillonin të përdornin Signal, një aplikacion mesazhesh të enkriptuar, në një përpjekje për të rritur sigurinë e komunikimeve të tij. Institucioni rekomandoi përdorimin e komandës për fshirjen e mesazheve në një udhëzim të vitit 2022 të quajtur “Lista e Kontrollit për ta bërë Signal-in tuaj më të Sigurt”.

Për qëllime sigurie, ka kuptim, tha Jeronimo. “Nëse dikush si Von der Leyen humbet telefonin, ose nëse telefoni hakerohet…ekziston një rrezik shumë i lartë që komunikimet e saj të kompromentohen.

Por teksti i Macron-it e drejton përsëri vëmendjen te politikat e ekzekutivit të BE-së në lidhje me mbajtjen e një regjistri publik të komunikimeve të udhëheqëses së saj, pas një skandali të quajtur “Pfizergate” në të cilin shkëmbimet e mesazheve të Von der Leyen me kreun e Pfizer, Albert Bourla, mbi kontratat e vaksinës kundër Covid nuk u ruajtën kurrë.

Avokati i Popullit Europian përfundoi hetimin e tij për rastin “Pfizergate” në vitin 2022, duke arritur në përfundimin se Komisioni kishte bërë keqadministrim. Këtë javë, Avokati i Popullit njoftoi se kishte hapur një hetim mbi mesazhin e vitit të kaluar nga Macron.

Sipas Olejnik, “e vërteta është se fshirja automatike e mesazheve është e shkëlqyer për sigurinë, jo aq shumë për transparencën ose llogaridhënien publike”.