Vendosni fjalën kyçe....

“Duam punëtorë nga Bangladeshi”, Begaj takim me Kryeministrin Yunus: Shqipëria synon lehtësimin e vizave


Shqipëria ka shprehur interes të drejtpërdrejtë për të rekrutuar punëtorë të kualifikuar dhe gjysmë të kualifikuar nga Bangladeshi, për të plotësuar boshllëqet në tregun vendas të punës.

Këtë e bëri të ditur Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, gjatë takimit që zhvilloi në New York me Kryeministrin e qeverisë teknike të Bangladeshit, Muhammad Yunus, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Na duhen punëtorë për vendin tonë dhe disa kompani shqiptare kanë paraqitur tashmë kërkesat për të punësuar qytetarë nga Bangladeshi,” deklaroi Presidenti Begaj, duke theksuar se ky bashkëpunim do të zgjerohet edhe në sektorë të tjerë, si turizmi, ku ai përmendi potencialin e rivierës shqiptare për të tërhequr vizitorë nga Bangladeshi, përcjellin mediat.

Nga ana e tij, Kryeministri Muhammad Yunus e mirëpriti këtë hap, duke theksuar se vendi i tij disponon një fuqi punëtore të re dhe dinamike, gati për të kontribuar në rritjen ekonomike të Shqipërisë.

Ai kërkoi gjithashtu lehtësimin e procedurave të vizave, duke vënë në dukje vështirësinë aktuale që qytetarët e Bangladeshit duhet të udhëtojnë deri në Nju Delhi për të aplikuar për vizë shqiptare.

Presidenti Begaj bëri me dije se Shqipëria po shqyrton vendosjen e vizave elektronike (e-visa) për shtetasit nga Bangladeshi, ndërsa theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit institucional përmes vizitave zyrtare në nivele të larta.

Në takim mori pjesë edhe ministri bangladeshas për Mirëqenien e Emigrantëve, i cili konfirmoi gatishmërinë e vendit të tij për të ofruar një gamë të gjerë profesionistësh – nga mjekë e infermierë deri tek punëtorë fabrikash dhe bujqësie.

Ai nënvizoi nevojën për të nënshkruar një memorandum mirëkuptimi mes dy vendeve, në mënyrë që procesi i rekrutimit të bëhet më i lehtë dhe më i formalizuar.

Presidenti Begaj, nga ana tjetër, shtoi se universitetet shqiptare janë të hapura të presin studentë nga Bangladeshi përmes skemave ndërkombëtare të pranimeve, duke hapur një tjetër dimension bashkëpunimi mes dy vendeve.