
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se ish-presidenti amerikan Donald Trump i ka shprehur mbështetje për përgjigjen e Ukrainës ndaj sulmeve ruse, përmes goditjes së infrastrukturës energjetike dhe ushtarake të Rusisë, përcjell REL.
Në një intervistë për median amerikane Axios, të publikuar më 25 shtator, Zelensky tha se Trump “mbështet të drejtën e Ukrainës për të reaguar ndaj sulmeve ndaj energjisë me të njëjtën monedhë”.
“Nëse ata sulmojnë energjinë tonë, presidenti Trump mbështet që edhe ne të përgjigjemi me [sulme ndaj] energjisë,” – u shpreh Zelensky.
Ai shtoi se Trump i kishte dhënë “dritën e gjelbër” edhe për sulme hakmarrëse ndaj fabrikave ushtarake të Rusisë, edhe pse paralajmëroi se ato mund të jenë më të vështira për t’u goditur për shkak të nivelit të lartë të mbrojtjes.
Deklaratat e Zelenskyt vijnë vetëm disa ditë pas një takimi privat me Trumpin në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, më 23 shtator.
Pas këtij takimi, Trump ndryshoi tonin ndaj luftës në Ukrainë, duke shprehur besim në aftësinë e Kievit për të rikthyer kontrollin e kufijve të vet, “me kohë, durim dhe mbështetje nga Evropa dhe NATO”.
“Putin dhe Rusia janë në telashe TË MËDHA,” shkroi Trump në platformën e tij Truth Social, duke sugjeruar se problemet ekonomike në Rusi janë një arsye pse Ukraina ka shanse reale për të fituar.
Sipas Zelenskyt, Ukraina tashmë ka në dispozicion dronë që mund të godasin objektiva thellë në territorin rus. Kjo vjen në një kohë kur Kievi ka intensifikuar sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës.
Vetëm një ditë pas takimit Zelensky–Trump, forcat ukrainase goditën kompleksin e naftës “Salavat”, një ndër më të mëdhenjtë në Rusi, që ndodhet rreth 1.500 kilometra larg vijës së frontit.
Në përgjigje të komenteve të Trump dhe Zelenskyt, Kremlini ka mohuar pretendimet se Rusia është në krizë të thellë, por ka pranuar se “ka disa probleme në sektorë të caktuar të ekonomisë”, pa dhënë më shumë detaje.