Vendosni fjalën kyçe....

Tentativë për vrasje me makinë në Durrës, 55-vjeçari në gjendje të rëndë, drejtuesi i mjetit shpallet në kërkim



Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e 24 shtatorit në Durrës, ku një automjet ka përplasur qëllimisht një kalimtar, duke e lënë atë në gjendje të rëndë shëndetësore, dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:54 në rrugën “Vala e Detit”, ku një automjet tip “Mercedes-Benz” ka goditur shtetasin A.K., 55 vjeç, banues në Durrës. Pas përplasjes, drejtuesi i mjetit është larguar menjëherë, duke braktisur viktimën.

Falë ndërhyrjes së Shërbimeve të Policisë Rrugore dhe Krimeve të Rënda në Durrës, është bërë i mundur identifikimi i drejtuesit të mjetit si A.B., 40 vjeç, lindur dhe banues në Shijak.

Policia njofton se nga hetimet dyshohet se përplasja nuk ka qenë aksidentale, por një tentativë për vrasje me paramendim, kryer përmes automjetit. Për këtë arsye, 40-vjeçari është shpallur në kërkim dhe ndaj tij është ngritur akuza për “Vrasje me paramendim”, mbetur në tentativë.

Në këto momente, policia vijon kërkimet për arrestimin e autorit dhe për sekuestrimin e mjetit të përdorur në ngjarje.

Ndërkohë, viktima 55-vjeçar është dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar dhe ndodhet në gjendje të rëndë për shkak të plagëve të marra.

Materialet e ngjarjes janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Durrës për vijimin e hetimeve dhe ndjekjen penale.