Vendosni fjalën kyçe....

Zelensky në OKB pas mbështetjes së re të Trump për Ukrainën: Armet vendosin kush mbijeton


Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, mbajti një fjalim të fortë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku theksoi se fati i kombeve në kohë lufte nuk përcaktohet nga ligji ndërkombëtar, por nga aleancat e forta dhe fuqia ushtarake.

Në nisje të fjalës së tij, Zelensky tha: “Të dashur liderë, të dashur miq dhe të gjithë ata që mund të bëhen miqtë tanë, sepse dëshironi siguri dhe paqe po aq sa ne sot. Askush përveç nesh nuk mund të garantojë sigurinë tonë. Vetëm aleanca të forta, vetëm partnerë të fortë dhe vetëm armët tona. Shekulli XXI nuk është shumë ndryshe nga e kaluara. Nëse një komb do paqe, ende duhet të punojë për armët. Jo ligji ndërkombëtar, jo bashkëpunimi – por armët vendosin kush mbijeton.”

Ai shtoi se realiteti i hidhur i konfliktit në Ukrainë ka treguar se Ligji ndërkombëtar nuk funksionon nëse nuk ke miq të fuqishëm që janë të gatshëm të të mbështesin.

“Dhe as kjo nuk mjafton pa armë. Është e tmerrshme, por pa to, gjërat do të ishin edhe më keq. Nuk ka garanci sigurie, përveç miqve dhe armëve.”- tha ai.

Deklaratat e Zelenskyt erdhën një ditë pasi Donald Trump ndryshoi tonin e tij ndaj luftës në Ukrainë, duke thënë se Kievi mund të rikthejë të gjithë territorin e pushtuar dhe duke e quajtur Rusinë një “tigër prej letre”.

Megjithatë, Trump nuk ofroi mbështetje të re në armë apo financime për Ukrainën, ndërsa Kremlini i hodhi poshtë deklaratat e tij, duke theksuar se Rusia është “ari” dhe jo “tigër prej letre”.

Fjalimi i Zelenskyt në OKB kishte një mesazh të qartë për aleatët se vetëm mbështetja konkrete dhe e vazhdueshme, sidomos në fushën ushtarake, mund të sigurojë mbijetesën dhe lirinë e Ukrainës përballë agresionit rus.