Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku kundërshton procesverbalin, kërkon përsëritjen e seancës: Të drejtën e fjalës nuk na e hiqni dot


Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, ka refuzuar miratimin e procesverbalit të seancës së kaluar, duke kërkuar që në të të përfshihet fakti se kreut të grupit parlamentar, Gazment Bardhi, iu mohua fjala për të diskutuar mbi programin qeverisës të PS-së.

Në emër të opozitës, Tabaku ka kërkuar përsëritjen e seancës, duke e cilësuar rastin si shkelje të rregullores. Ajo u shpreh se “është hera e parë që qeveria miratohet pa u diskutuar programi i saj”, duke theksuar se e drejta e opozitës për debat parlamentar nuk mund të mohohet.

Tabaku akuzoi mazhorancën se po shmang diskutimin mbi vizionin dhe programin e qeverisë, duke i cilësuar veprimet e Kryesisë së Kuvendit si një “njollë” që nuk duhet të përsëritet.

“Në fakt duhet sqaruar që e gjithë ajo që ndodhi në shkelje të rregullores së parlamentit. Kryetari i grupit parlamentar të PD-së kërkoi fjalën për procedurë për të diskutuar programin e qeverisë.

E gjitha kjo në procesverbalin që keni paraqitur nuk reflektohet.  Është hera e parë që qeveria miratohet pa diskutuar programin e qeverisë. Kemi bërë kërkesë për përsëritje të seancës.

Nuk mund t’i lënë në hije shqiptarët. Kjo lidhet me procesverbalin me zbardhjen  e seancës së kaluar. Hera e parë Peleshi dhe nuk besoj se doni ta mbani këtë njollë.

E kuptoj që qeveria nuk ka as program për të diskutuar dhe as vizion, por nuk mund t’ia mohoni të drejtën opozitës dhe shqiptarëve për të pasur një debat parlamentar.

Të drejtën e fjalës nuk na e hiqni dot, dhe as rregulloren nuk e shkelni dot. Duhet ta reflektoni në procesverbal që kryetarit të grupit parlamentar të PD ju mohua fjala”, tha Tabaku.