
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka zhvilluar një takim me presidentin e Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoyev, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së (UNGA) në Nju Jork.
Përmes një postimi në platformën X (ish-Twitter), Presidenti Begaj bëri me dije se diskutimet me homologun uzbek u përqendruan në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, me theks të veçantë në bashkëpunimin ekonomik dhe zhvillimin e turizmit mes dy vendeve.
“Takim i frytshëm me Presidentin e Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoyev, në kuadër të UNGA-së. Diskutuam mbi rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe potencialin për zhvillimin e turizmit mes vendeve tona,” – shkruan Begaj në postimin e tij.
Ky takim shënon një tjetër hap në përpjekjet për zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të Shqipërisë në rajonet e Azisë Qendrore dhe më gjerë.