Vendosni fjalën kyçe....

Plani i Trump për Gazën: Lirimi i të gjitha pengjeve, armëpushim i përhershëm, fundi i sundimit të Hamasit


Shtetet e Bashkuara shpresojnë se një përparim në luftën në Gaza mund të njoftohet në ditët në vijim, tha të mërkurën i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, ndërsa administrata e presidentit Trump promovoi një plan paqeje me 21 pika para udhëheqësve arabë gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Sipas rrjetit televiziv saudit Al-Hadath, propozimi kërkon lirimin e të gjithë pengjeve të mbajtura nga Hamasi, një armëpushim të përhershëm, fundin e luftës dhe krijimin e një mekanizmi qeverisës civil në Gaza me përfshirjen e shteteve të moderuara arabe dhe Autoritetit Palestinez. Raporti tha gjithashtu se plani parashikon një tërheqje shkallë-shkallë të Izraelit dhe hyrjen e ndihmës ndërkombëtare.

Një burim diplomatik i tha Al-Hadath se plani i Trump garanton se Gaza nuk do pushtohet. Burimi tha se dorëzimi i pengjeve dhe fundi i sundimit të Hamasit janë elementët më të rëndësishëm të propozimit, dhe se Trump i siguroi udhëheqësit arabë se lufta në Gaza do ndalet brenda ditësh, shkruan Ynet.

Witkoff tha se Trump u kërkoi udhëheqësve arabë të dërgonin forca në Gaza dhe të ndihmonin në financimin e nismës, e cila do ofronte ndihmë humanitare të pakufizuar dhe do përjashtonte Hamasin nga menaxhimi i territorit. Në këmbim, raportoi Al-Hadath, Trump u zotua të mos lejonte kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të aneksonte Bregun Perëndimor ose të krijonte vendbanime në Gaza.

Trump ka bërë presion publikisht për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për të liruar të gjithë pengjet, duke hedhur poshtë një lirim me faza. Megjithatë, ëitkoff vijon të negociojë me ndërmjetësit e Katarit për një marrëveshje hap pas hapi që do lironte 10 pengje të gjallë dhe gjysmën e trupave në këmbim të një armëpushimi 60-ditor dhe bisedimeve të mëtejshme.

“Kam shpresë, madje besim, se në ditët në vijim do ketë një lloj përparimi në Gaza,” u tha Witkoff gazetarëve. Një takim midis Trump dhe Netanyahut javën e ardhshme pritet të tregojë nëse presidenti do e shtyjë Netanyahun të pranojë një marrëveshje graduale.