
E Ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn, zhvilloi sot një takim me kryetarin e Parlamentit, Niko Peleshi.
Në njoftimin e bërë nga Ambasada Amerikane, u theksua se në fokus të bisedimeve ishin prioritetet e Kuvendit dhe fushat kryesore me interes për administratën e presidentit Donald Trump, veçanërisht rritja e shpenzimeve për mbrojtjen dhe forcimi i mekanizmave të kontrollit të investimeve.
“E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn u takua me Kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, për të diskutuar mbi përparësitë e Kuvendit dhe fushat kyçe me interes për Administratën Trump, duke përfshirë rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit të investimeve, me qëllim forcimin e sigurisë dhe mirëqenies për Shtetet e Bashkuara dhe Aleatët e saj. Presim me kënaqësi të bashkëpunojmë me Kuvendin për këto objektiva të përbashkëta,” thuhet në reagimin e Ambasadës.
Ky takim shënon një tjetër moment bashkëpunimi mes Tiranës dhe Uashingtonit, duke nënvizuar mbështetjen e SHBA për forcimin e mbrojtjes dhe sigurisë në Shqipëri dhe rajon.