Vendosni fjalën kyçe....

Trump: OKB nuk bëri asgjë për të përfunduar luftërat, njohja e Palestinës shpërblim për Hamasin


Presidenti Donald Trump kritikoi Organizatën e Kombeve të Bashkuara, duke thënë se ky institucion nuk ka ndërhyrë për të përfunduar disa konflikte ndërkombëtare që ai pretendon se ka ndihmuar të zgjidhen.

Ai përmendi mes të tjerash luftërat në Kamboxhia dhe Tajlandë, Kosovë dhe Serbi, Kongon dhe Ruandën, Pakistan dhe Indi, Izrael dhe Iran, Egjipt dhe Etiopi, si dhe Armeni dhe Azerbajxhan, përcjell NBC.

Trump deklaroi: “Është shumë keq që unë duhet të bëja këto gjëra, ndërkohë që Organizata e Kombeve të Bashkuara nuk provoi asnjëherë të ndihmonte në asnjërin prej këtyre konflikteve.”

Ai gjithashtu shtoi se çmimi më i madh për të nuk janë çmimet prestigjioze, por jetët e shpëtuara.

 “Të gjithë thonë që duhet të fitoj Çmimin Nobel për Paqe për secilin prej këtyre arritjeve, por për mua çmimi i vërtetë do të jenë fëmijët që rriten pranë prindërve të tyre sepse miliona njerëz nuk po vriten më në luftëra të pafundme dhe të pa lavdishme. Çfarë më intereson nuk është të fitoj çmime, por të shpëtoj jetë.”- u shpreh Trump.

Gjithashtu, Trump komentoi vendimin e disa vendeve, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën, për të njohur një shtet palestinez, duke thënë se kjo do të ishte një shpërblim për veprimet terroriste të Hamasit, përfshirë sulmin e 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit.

“Kjo do të ishte një shpërblim për këto krime të tmerrshme, përfshirë 7 tetorin, ndërkohë që ata refuzojnë të lirojnë pengjet ose të pranojnë një armëpushim.”- tha ai.

Trump u fokusua veçanërisht te kërkesa për lirimin e të gjitha pengjeve, duke thënë: “Duhet t’i rikthejmë pengjet. Duam të gjithë të 20-të. Nuk duam dy apo katër. Kam thënë gjithmonë se të fundit 20 do të jenë më të vështirët. Dhe pikërisht kjo ndodhi. Duhet t’i rikthejmë.”