
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, reagoi menjëherë pas vendimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj. Blushi kritikoi ashpër këshilltarët e Partisë Socialiste, të cilët sipas tij janë pjesë e një skeme korruptive që ka degraduar administratën e kryeqytetit.
Në një postim të fuqishëm në rrjetet sociale, Blushi i quajti këshilltarët e PS-së si përgjegjës për legjitimimin e aferave korruptive dhe shkatërrimin e qëllimshëm të Tiranës. Ai shtoi se vota për shkarkimin e Veliajt është një votë për largimin e tyre nga përgjegjësia dhe korrupsioni.
Blushi u shpreh se ky vendim është shumë i vonuar dhe duhet të jetë fillimi i një procesi të thellë llogaridhënieje dhe rikthimi i Bashkisë te qytetarët.
“Drejtësi për Tiranën! Drejtësi për inceneratorin! Drejtësi për Nënë Lizën! Drejtësi për Ardit Gjoklajn! Beteja për çlirimin e Tiranës vazhdon!”, përfundoi ai.