
Këshilli Bashkiak i Tiranës ka votuar unanimisht për shkarkimin e kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj. Ky vendim vjen pas një procesi të tensionuar politik dhe është pritur me reagime të forta nga opozita.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në një deklaratë për media e cilësoi Veliajn si një simbol të korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin. Bardhi tha se shkarkimi i Veliajt është një mesazh për gjithë funksionarët e korruptuar të mazhorancës dhe përmendi veçanërisht ministren Belinda Balluku, duke paralajmëruar se drejtësia do t’i ndjekë edhe ata.
Reagimi i Gazment Bardhit
“Erion Veliaj, shëmbylltyra e Edi Ramës në krye të Bashkisë së Tiranës, u shkarkua sot pa mundur të thotë asnjë fjalë lamtumire. Ai largohet si simbol i korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin në kryeqytet,” tha Bardhi.
Ai shtoi se ky ishte një paralajmërim për fundin që pret të gjithë zyrtarët socialistë që kanë shpërdoruar detyrën dhe kanë vjedhur votat, duke përfshirë ministren Balluku. “Ora e drejtësisë mund të vonojë, por është e sigurtë që do të vijë,” përfundoi Bardhi.
Ky zhvillim pritet të ndikojë në skenën politike të Tiranës dhe të hapë rrugën për një ristrukturim të administratës bashkiake.