
Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, deklaroi të martën se negociatat me Shtetet e Bashkuara nuk do t’i shërbenin interesave të Teheranit dhe i quajti ato “një rrugë pa krye”.
Në një mesazh të regjistruar, Khamenei theksoi se Irani nuk do të dorëzohet përballë presionit ndërkombëtar për çështjen e pasurimit të uraniumit, duke përsëritur qëndrimin zyrtar të vendit se nuk ka nevojë dhe nuk synon të prodhojë armë bërthamore, përcjell JPost.
“As nuk jemi dorëzuar më parë për çështjen e pasurimit, dhe as nuk do të dorëzohemi ndonjëherë,” thuhet në llogarinë zyrtare të Khamenei-t në platformën X (ish-Twitter). “Edhe në çdo çështje tjetër, kemi qëndruar dhe do të qëndrojmë të patundur përballë presionit.”
Udhëheqësi iranian kritikoi ashpër qëndrimin e SHBA-së për kapacitetet bërthamore të Iranit dhe kujtoi se pavarësisht bombardimeve në objektet e pasurimit, shkenca nuk mund të shkatërrohet.
“Ata i bombarduan objektet [iraniane] të pasurimit në këtë apo atë vend. Por pasurimi është një shkencë – dhe shkenca nuk shkatërrohet. Nuk eliminohet me bomba e kërcënime,” u shpreh ai.
Khamenei shtoi se çdo përpjekje për të ndaluar progresin shkencor të Iranit do të kundërshtohet me vendosmëri.
“Kur ata thonë se ky arritje e madhe duhet të shkatërrohet, kjo nuk është e pranueshme. Kombi iranian do t’ua japë përgjigjen atyre që e kërkojnë këtë,” tha ai.
Bisedimet me Europën vazhdojnë mes kërcënimit për sanksione të reja
Deklaratat e Khamenei-t vijnë në një kohë kur Irani dhe fuqitë europiane – Franca, Britania dhe Gjermania (E3) – janë duke zhvilluar bisedime për të shmangur rikthimin e sanksioneve të OKB-së.
Sipas Ministrisë së Jashtme iraniane, pas një takimi të zhvilluar në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, palët ranë dakord që bisedimet diplomatike të vazhdojnë.
“Në dritën e veprimeve të padrejta dhe të paligjshme për rikthimin e sanksioneve të OKB-së, janë paraqitur disa ide për vazhdimin e diplomacisë dhe u ra dakord që konsultimet të vijojnë,” thuhet në deklaratën zyrtare.
Një diplomat francez deklaroi për agjencinë Reuters se në mungesë të përparimit deri më 27 shtator, sanksionet ndërkombëtare do të rikthehen.
Agjencia Bërthamore e OKB-së dërgon inspektorë në Iran
Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, bëri të ditur se një ekip inspektorësh është në rrugë për në Iran, në rast se arrihet një marrëveshje për të shmangur rikthimin e sanksioneve.
“Na ndajnë vetëm disa orë, disa ditë, për të parë nëse mund të arrihet diçka. Ky është përpjekja në të cilën jemi të gjithë të angazhuar,” tha Grossi nga New York-u.