Vendosni fjalën kyçe....

Këshilli Bashkiak i Tiranës shkarkon Erion Veliajn


Këshilli Bashkiak i Tiranës ka votuar për të shkarkuar nga detyra kryebashkiakun Erion Veliaj.

Këshilltarët socialistë dhe demokratë bashkuan votat për ta shkarkuar kryebashkiakun Veliaj nga detyra, i cili qëndron në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025 kur dhe u arrestua me vendim të GJKKO pas kërkesës së SPAK.

Këshilli Bashkiak mblodhi 3 kërkesat për shkarkimin e Erion Veliajt; atë të Partisë Socialiste, të Partisë Demokratike dhe të këshilltarit Endri Shabani, duke i votuar si një e vetme.

Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak Tiranë munguan këshilltarët socialistë Gazment Paja, Aldo Merkoçi dhe Joleza Koka. Edhe Alfred Muharremi i PS u largua në momentin e votimit.

Ndërsa këshilltari tjetër Fabian Topollari nuk mori pjesë në votim. 

Vendimi i Këshillit Bashkiak për shkarkimin e Veliajt në fakt është propozim. Ky propozim i dërgohet Prefektit të qarkut, dhe Prefekti ja dërgon propozimin për shkarkimin e Veliajt Qeverisë.

Vendimin përfundimtar do ta marrë Këshilli i Ministrave, që do të certifikojë shkarkimin e Erion Veliajt ose jo.

Erion Veliaj nuk ishte i pranishëm në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, siç kishte kërkuar edhe vetë ai që të dëgjohej.

Komisioni i Ligjeve të Këshillit Bashkiak Tiranë më herët gjatë ditës së sotme (23 shtator 2025) vendosi që Veliaj të mos ishte i pranishëm në mbledhje, teksa më vonë, Sekretari i Këshillit Bashkiak, përmes një letre drejtuar Veliajt, pak para mbledhjes, tha se nuk ka vendim që e ndalonte të merrte pjesë.

Por këshilltarët demokratë kërkuan që Erion Veliaj të ishte i pranishëm në këtë mbledhje.

Motivi që Këshilli Bashkiak Tiranë votoi për shkarkimin e Erion Veliajt është mosparaqitja në detyrë prej më shumë se 3 muaj. Duhet theksuar se mosparaqitja e Erion Veliajt në detyrë si kryebashkiak i Tiranës ka ndodhur për shkak të arrestimit të tij.

Ai është në arrest në burg që prej 10 shkurtit, pra më shumë se 6 muaj, edhe pse vetë ka kërkuar disa herë nga gjykata që të hetohej me një masë më të butë sigurie, togat e zeza e patën refuzuar.

SPAK e ka mbyllur dosjen në ngarkim të tij dhe e ka dërguar në gjyq, me 13 akuza ndaj kryebashkiakut, prej të cilave korrupsion në 9 raste.