
Claudia Cardinale, ylli i ekranit të viteve ’60 dhe një nga figurat më të dashura të kinemasë italiane, ka ndërruar jetë të martën në moshën 87-vjeçare në Nemours, afër Parisit.
E lindur në Tunis, Cardinale punoi me disa nga regjisorët më të mëdhenj italianë, përfshirë Luchino Visconti dhe Federico Fellini. Ajo ndau skenën me shumë nga aktorët kryesorë të epokës, si Burt Lancaster, Alain Delon dhe Henry Fonda.
Lajmin për ndarjen nga jeta e saj e konfirmoi agjenti Laurent Savry, i cili tha se ajo ndërroi jetë në prani të fëmijëve të saj. “Na lë trashëgiminë e një gruaje të lirë dhe frymëzuese, si në jetën personale ashtu edhe si artiste,” u shpreh ai.
Prapa suksesit të saj kinematografik fshihej një histori e dhimbshme. Në adoleshencë, Cardinale u përdhunua nga një producent filmi dhe mbeti shtatzënë. Në një kohë kur opsionet për gratë ishin të kufizuara, ajo vendosi të mbante djalin e saj, Patrick, dhe të fitonte pavarësinë përmes kinemasë – edhe pse nuk kishte pasur asnjëherë dëshirë të bëhej aktore.
“Nuk e bëra për famë apo për dashuri ndaj filmit,” kishte thënë ajo në një intervistë për Le Monde në vitin 2017. “E bëra për Patrickun, fëmijën që vendosa ta mbaja pavarësisht rrethanave dhe skandalit të madh.”
Ajo përshkruante veten si një vajzë shumë të ndrojtur dhe të rezervuar, që nuk kishte aspak dëshirë të ekspozohej para kamerave.