Vendosni fjalën kyçe....

BE dhe Indonezia përfundojnë negociatat për marrëveshjen tregtare dhe atë për mbrojtjen e investimeve



Bashkimi Evropian dhe Indonezia përfunduan zyrtarisht negociatat për Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse të Partneritetit Ekonomik (CEPA) dhe Marrëveshjen për Mbrojtjen e Investimeve (IPA), pas marrëveshjes politike të arritur më 13 korrik ndërmjet Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe Presidentit indonezian, Prabowo Subianto.

Në emër të BE-së, negociatat u drejtuan nga Komisioneri për Tregtinë dhe Sigurinë Ekonomike, Maroš Šefčovič, i cili ndodhet aktualisht në Indonezi për të shënuar këtë arritje dhe për të mbështetur hapat e ardhshëm drejt ratifikimit të marrëveshjeve.

Këto marrëveshje do të krijojnë mundësi të reja për bizneset dhe fermerët evropianë duke hequr tarifat për 98.5% të mallrave që eksportohen në Indonezi, përfshirë makinat, produktet bujqësore dhe pajisjet industriale. Eksportuesit evropianë pritet të kursejnë rreth 600 milionë euro në vit në tarifa, ndërsa konsumatorët indonezianë do të kenë qasje më të lehtë në produkte evropiane cilësore.

Marrëveshja përfshin gjithashtu mbrojtjen e 221 produkteve evropiane dhe 72 indoneziane me emërim gjeografik, ndërsa për sektorët e ndjeshëm si orizi dhe sheqeri do të zbatohen masa mbrojtëse përmes tarifave ekzistuese dhe kuotave të kufizuara.

Për investitorët evropianë hapen mundësi të reja në sektorë strategjikë si teknologjia, farmaceutika dhe automjetet elektrike, duke lejuar gjithashtu pronësi të plotë në disa industri kyçe. Marrëveshjet forcojnë gjithashtu mbrojtjen e pronësisë intelektuale dhe luftën kundër produkteve të falsifikuara.

Një komponent i rëndësishëm i CEPA është angazhimi për zhvillim të qëndrueshëm dhe respektimi i objektivave të Marrëveshjes së Parisit. Ajo mbështet tregtinë e teknologjive të pastra dhe energjisë së rinovueshme dhe përfshin bashkëpunim në çështje mjedisore si zinxhirët e furnizimit dhe ndikimi i prodhimeve bujqësore, përfshirë vajin e palmës.

Marrëveshja kontribuon në forcimin e furnizimit të sigurt dhe të qëndrueshëm me lëndë të para kritike, të cilat janë të rëndësishme për tranzicionin e gjelbër dhe zhvillimin digjital të Evropës.

Tekstet e negociuara do të publikohen së shpejti, do t’i nënshtrohen shqyrtimit ligjor dhe do të përkthehen në të gjitha gjuhët zyrtare të BE-së. Pas kësaj, Komisioni do të propozojë nënshkrimin dhe miratimin e marrëveshjeve në Këshillin e BE-së, për t’u pasuar me miratimin nga Parlamenti Evropian dhe ratifikimin nga Indonezia. Vetëm pas këtyre hapave, CEPA dhe IPA do të hyjnë në fuqi.

Negociatat për një marrëveshje tregtare mes BE-së dhe Indonezisë nisën në vitin 2016 dhe përfunduan më 23 shtator 2025, pas 19 raundeve zyrtare dhe diskutimeve intensive në nivel politik dhe teknik.