Vendosni fjalën kyçe....

Balliu: Fundi i Ramës nuk do të jetë ndryshe nga ai i Veliajt



Pas shkarkimit me votë unanime të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nga Këshilli Bashkiak, ka ardhur dhe reagimi i deputetit të Partisë Demokratike, Klevis Balliu. Ai e konsideron këtë ngjarje si një paralajmërim për fundin e afërt të kryeministrit Edi Rama.

Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, Balliu akuzoi Veliajn për abuzime të shumta, dhunë ndaj qytetarëve dhe shkatërrime urbane. Deputeti theksoi se denoncimet e opozitës dhe presioni i qytetarëve ishin faktorët kryesorë që detyruan largimin e tij.

“Erion Veliaj u kthye në simbol të dhunës së shtetit ndaj qytetarëve të Unazës, të cilët mbajti për 420 ditë nën presion e represion me polici, prokurorë dhe gjyqtarë në shërbim të pushtetit,” shkruan Balliu. Ai kujtoi edhe shembjen e Teatrit Kombëtar dhe “grabitjet e pangopura mbi pasuritë e qytetit” si dëshmi të qartë të keqmenaxhimit dhe abuzimeve.

Balliu u shpreh se largimi i Veliajt nuk ishte rezultat i pranimtë i fajit nga ana e kryeministrit Rama, por më shumë një përpjekje për të shmangur hetimet që do të përfshinin edhe vetë Ramën. “Fundi i Ramës është i paracaktuar dhe nuk do të jetë ndryshe nga ai i Veliajt,” paralajmëroi ai.

Deputeti theksoi se ata që drejtojnë aktualisht vendin nuk njohin ligj, kushtetutë apo interes qytetar, por vetëm partinë dhe kryeministrin Rama.