Vendosni fjalën kyçe....

Malta, Luksemburgu dhe Belgjika shpallin njohjen e shtetit të Palestinës në OKB



Në një deklaratë të qartë dhe të vendosur, Kryeministri i Maltës, Robert Abela, njoftoi zyrtarisht njohjen e shtetit të Palestinës, gjatë Konferencës Franko-Saudite të mbajtur në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, përcjell YNetNews.

“E bëjmë këtë si dëshmi të përkushtimit tonë praktik për një zgjidhje paqësore me dy shtete — e vetmja rrugë për të ardhmen e të dy popujve,” tha Abela, duke shtuar se Malta mbështet të drejtën e Izraelit për të ekzistuar krahas një shteti demokratik palestinez.

Edhe Luksemburgu iu bashkua vendeve që njohin shtetin e Palestinës. Kryeministri Luc Frieden deklaroi:

“Zgjidhja me dy shtete mbetet e vetmja rrugë drejt paqes së qëndrueshme. Kur lindin dyshime, duhet t’i përgjigjemi me sigurinë që sjell shpresa. Prandaj, shpall sot seriozisht se Luksemburgu njeh zyrtarisht shtetin e Palestinës.”

Në të njëjtën konferencë, Kryeministri i Belgjikës, Bart De Wever, bëri të ditur se edhe Belgjika do ta njohë Palestinën si shtet, si kundërpërgjigje ndaj deklaratave të fundit të zyrtarëve izraelitë, përfshirë kryeministrin Netanyahu, të cilët kanë pohuar se “shteti palestinez nuk do të themelohet kurrë.”

“Këto deklarata janë një arsye më shumë për të riafirmuar të drejtën dhe nevojën e popullit palestinez për një shtet të vetin,” tha De Wever.

Megjithatë, Belgjika ka vënë kushte për njohjen zyrtare ligjore, duke theksuar se:

“Ky hap nuk mund të jetë shpërblim për Hamasin. Belgjika do ta finalizojë njohjen vetëm pasi të lirohen të gjithë pengjet dhe të largohen nga qeveria të gjitha organizatat terroriste si Hamas.”