Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është shprehur kundër projektligjit mbi gjininë të prezantuar në Kuvend. Në një deklaratë zyrtare, KMSH-ja thekson se projektligji në fjalë nuk është konsultuar dhe se nuk ka asnjë informacion mbi mënyrën dhe bazat e ndërtimit të tij.
Në reagim theksohet se termi “gjithëpërfshirës” lidhur me gjinië është shqetësues pasi është laegim nga kuptimi fetar islam dhe nga kuptimi natyror i qartë i gjinisë njerëzore.
Deklarata nënvizon gjithashtu se ndryshimi i propozuar nuk përputhet me vlerat e familjes ndërsa përfshirja e terminologjisë së re në ligj nuk bën gjë tjetër veçse e dobëson atë.
Deklarata
“Fillimisht më lejoni t’ju informoj se Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është njohur mbi këtë projektligj me anë të këtij emaili dhe më pas nga disa lajme në median online. Ky projektligj nuk është konsultuar me ne dhe ne nuk kemi asnjë informacion mbi mënyrën dhe bazat e ndërtimit të tij.
KMSH e sheh me shqetësim përfshirjen e termit “gjithëpërfshirës” në përkufizimin e gjinisë. Ky ndryshim përbën një largim nga kuptimi fetar islam dhe nga kuptimi natyror dhe i qartë i gjinisë, si burrë dhe grua, i cili ka qenë gjithmonë baza mbi të cilën është ndërtuar shoqëria njerëzore.
Përfshirja e një nocioni të paqartë, që nuk jep kufij të qartë dhe hap rrugë për interpretime të shumta, rrezikon të sjellë konfuzion si në zbatimin praktik të ligjit, ashtu edhe në strukturën shoqërore. Një shoqëri ka nevojë për norma të qarta, të kuptueshme dhe të zbatueshme. Ndryshime të tilla, të cilat nuk marrin parasysh traditën, natyrën biologjike dhe moralin shoqëror, krijojnë më shumë probleme sesa zgjidhje.
Nga këndvështrimi i fesë që përfaqësoni, si shihet koncepti i identiteteve gjinore përtej burrë-grua?
Sipas fesë islame, gjinia është e përcaktuar nga Zoti në dy kategori: mashkull dhe femër. Ky parim është i qartë në Kuran dhe në traditën profetike, dhe ai lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si funksionon natyra dhe shoqëria.
Më poshtë po ju sjellim disa ajete nga Kurani famëlartë që e tregojnë qartë përcaktimin e gjinisë:
“O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise…
e prej tij bëri çiftin: mashkullin e femrën?! (75:39)
Ne ju kemi krijuar në çifte. (78:8)
Dhe për çdo lloj fruti, Ai ka krijuar nga një çift. (13:3)
Allahu ju ka krijuar së pari prej dheut (Ademin), pastaj (pasardhësit e tij i ka krijuar) nga pika e farës dhe më në fund ju ka bërë çifte. (35:11)
Qoftë lavdëruar Ai që i ka krijuar çift të gjitha llojet: çka mbin prej tokës, ata vetë dhe ato që nuk i dinë! (36:36)
Ai, që ka krijuar çifte për çdo lloj krijese… (43:12)
… se Ai krijon çiftet, mashkull e femër… (53:45)
A s’ka qenë një pikë fare që derdhej, pastaj u bë droçkë gjaku e më pas Allahu e krjioi dhe i dha formë e përmasa të caktuara, e prej tij bëri çiftin: mashkullin e femrën?! (75:37-38-39)
(Në kllapa gjendet numri i Sures dhe numri i ajetit nëse ju duhet për orientim.)
Nisur nga këto ajete, përpjekje për të shtuar apo shpikur identitete të tjera gjinore përbën një devijim nga e vërteta e krijimit.
A mendoni se ky ndryshim përputhet me parimet dhe vlerat mbi familjen?
Familja në traditën islame dhe në kulturën shqiptare është ndërtuar mbi bashkimin natyror të burrit dhe gruas. Ky bashkim është themeli i krijimit, vazhdimësisë së jetës dhe edukimit të brezave. Çdo koncept që e relativizon apo mohon këtë realitet, bie ndesh me parimet mbi të cilat është ndërtuar familja.
Përfshirja e nocioneve të paqarta mbi gjininë, dhe sidomos dhënia e tyre e statusit juridik, rrezikon të dobësojë institucionin e familjes, duke i hapur rrugë keqinterpretimeve në arsim, në punësim dhe në jetën shoqërore.
Një shoqëri ku dobësohet familja, është një shoqëri që humb kohezionin dhe stabilitetin. Për këtë arsye, ne besojmë se ndryshime të tilla nuk përputhen me vlerat themelore të familjes, por përkundrazi, mund të cenojnë seriozisht të ardhmen e saj.
A mendoni se institucionet fetare duhet të kenë rol më aktiv në diskutime dhe konsultime për çështje të tilla sociale?
Institucionet fetare kanë një rol të rëndësishëm në shoqëri, pasi ato përfaqësojnë besimin, traditën, moralin dhe vlerat shpirtërore të një populli. Çështje kaq të ndjeshme, që lidhen drejtpërdrejt me familjen, moralin dhe rendin shoqëror, nuk mund të trajtohen vetëm në nivel teknik apo politik, pa marrë parasysh dimensionin shpirtëror dhe kulturor të tyre.
Për këtë arsye, është e domosdoshme që institucionet fetare të përfshihen në procesin e konsultimeve për të dhënë kontributin e tyre në ruajtjen e ekuilibrave shoqërorë. Përvoja ka treguar se ligje që nuk marrin parasysh këtë dimension, shpesh sjellin ndasi dhe pakënaqësi në shoqëri.”
