
Tirana do të jetë mikpritëse e “Triathlonit” këtë të dielë, një garë që bashkon tri disiplina sportive në një event të vetëm: not, çiklizëm dhe vrapim. Qindra sportistë, profesionistë dhe amatorë, do të marrin pjesë në këtë aktivitet të organizuar nga Bashkia e Tiranës.
Gara do të nisë pranë Parkut Helen, në afërsi të liqenit të Farkës, dhe do të shtrihet në disa akse rrugore të qytetit. Për mbarëvajtjen e eventit, Policia Bashkiake dhe Policia e Shtetit kanë marrë masa për menaxhimin e trafikut dhe sigurinë e pjesëmarrësve.
Nga ora 08:00 deri në 13:00 të së dielës, do të ndalohet qarkullimi në disa rrugë kryesore, përfshirë: rrugën e Tuneleve, rrugën Daxhi, Digën e Liqenit, Panoramën e Liqenit, rrugën interurbane TEG–Ura e Shkozës, si dhe bulevardet “Zhan D’Ark”, “Gjergj Fishta” dhe segmentin e bulevardit “Bajram Curri” deri te Pallati me Shigjeta.
Po ashtu, disa linja urbane të transportit publik do të devijohen ose do të pezullohen përkohësisht. Linjat “Ish Kombinati i Autotraktorëve–Qendër”, “Materniteti i Ri–Qendër–Ish Fusha e Aviacionit” dhe “Unaza” do të jenë jashtë funksionit deri në përfundim të garës. Linjat e tjera do të ndjekin itinerare alternative përmes Sheshit “Uilson”, Qendrës ose rrethrrotullimeve përkatëse.
Automjetet e emergjencës dhe të Policisë së Shtetit do të kenë akses të lirë në të gjitha zonat ku zhvillohet gara. Qytetarët këshillohen të shmangin lëvizjen në këto zona gjatë paradites së të dielës dhe të përdorin rrugë alternative.