Vendosni fjalën kyçe....

Siguria dhe tregtia mes Turqisë dhe Sirisë po forcohen me shpejtësi



Turqia dhe Siria po rrisin me shpejtësi lidhjet mes tyre, një zhvillim që nuk është i papritur, duke pasur parasysh mbështetjen që Turqia i ka dhënë rebelëve sirianë për vite me radhë dhe opozitën ndaj regjimit të Assadit. Ankara po synon të shfrytëzojë hapësirat dhe vakumin e pushtetit në Siri për të zgjeruar ndikimin e saj në rajon, përcjell JPost.

Sipas mediave shtetërore siriane, më 21 shtator u mbajt një takim midis zyrtarëve të lartë sirianë dhe turq për të diskutuar forcimin e koordinimit të sigurisë dhe bashkëpunimin me Interpolin. Zëvendësministri sirian i Brendshëm për Çështjet e Sigurisë, Maj. Gjenerali Abdul Qader Tahan, u takua me homologun turk Munir Karaloğlu në Ankara. Temë kryesore e bisedimeve ishte aktivizimi i veprimtarisë së Interpolit brenda Sirisë për të luftuar krimin, përfshirë edhe trajnimet e personelit.

Në të njëjtën kohë, ministri sirian i Transportit, Yarub Badr, theksoi rëndësinë e përmirësimit të tregtisë me Turqinë gjatë takimit me përfaqësues të Shoqatës së Kompanive të Transportit Turke (UND). Ai nënvizoi nevojën për krijimin e një kuadri praktik që lehtëson kalimin e mallrave në pikat kufitare dhe përshpejton transportin, duke mbështetur interesat e përbashkëta.

Një pikë kyçe për këtë bashkëpunim mbetet kalimi kufitar Bab al-Hawa, një urë lidhëse thelbësore për mallrat që transportohen nga Turqia drejt Sirisë, përfshirë rajone si Idlib dhe Afrin.

Gjithashtu, Autoriteti Sirian i Aviacionit Civil njoftoi marrjen e pajisjeve të navigacionit të siguruara nga Turqia për të përmirësuar sigurinë në transportin ajror, përfshirë Sistemin e Uljes me Instrumente (ILS) dhe sistemin DVOR/DME, të cilat do të instalohen në Aeroportin Ndërkombëtar të Damaskut.