Vendosni fjalën kyçe....

Zelensky akuzon aleatët për “humbje kohe” ndërsa përgatitet për takimin me Trump


Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka akuzuar aleatët perëndimorë se po “humbin kohë” në vendimmarrje, teksa paralajmëroi se në takimin e javës së ardhshme në Nju Jork me presidentin amerikan Donald Trump do të kërkojë vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë.

Nëse lufta vazhdon dhe nuk ka hapa drejt paqes, ne presim sanksione,” tha Zelensky, duke nënvizuar se lidhja e masave amerikane me kushtet ndaj vendeve evropiane vetëm sa vonon presionin ndaj Kremlinit, përcjell The Guardian.

Trump është zotuar disa herë se do të ndërmarrë masa të ashpra, por deri tani nuk ka ndërmarrë hapa konkretë. Javën e kaluar ai deklaroi se SHBA është gati të vendosë “sanksione të mëdha”, por vetëm nëse të gjitha vendet e NATO-s ndalojnë blerjen e naftës ruse dhe vendosin tarifa ndaj Kinës.

Presidenti Trump pret veprim të fortë nga Evropa. Mendoj se po humbasim shumë kohë nëse sanksionet nuk vendosen ose nuk merren hapa të caktuar, që ne i presim shumë prej tij,” u shpreh Zelensky nga zyra e tij në Kiev.

Ai i bëri thirrje “gjithë Evropës” të forcojë sanksionet dhe theksoi se Trump mund të ushtrojë presion mbi vendet që hezitojnë, si Hungaria dhe Sllovakia, të cilat ende furnizohen me naftë nga Rusia.

Presidenti ukrainas përsëriti gatishmërinë për të zhvilluar takim me Vladimir Putinin, qoftë kokë më kokë apo në format trepalësh me Trumpin.

Nga ana e tij, Kremlini ka thënë se “shkaqet rrënjësore” të konfliktit duhet të adresohen para çdo takimi, duke nënkuptuar dorëzimin e Ukrainës.

Zelensky po ashtu pritet të diskutojë në SHBA garancitë e sigurisë që Uashingtoni është gati të ofrojë si pjesë e një marrëveshjeje paqeje.

Ai konfirmoi gjithashtu se bashkëshortja e tij, Olena Zelenska, ka gjasa të takohet me Melania Trump në Nju Jork për të trajtuar çështjen e fëmijëve ukrainas të rrëmbyer nga Rusia.

Ndërkohë, në terren, Ukraina njoftoi se gjatë natës Rusia lëshoi mbi 600 dronë dhe raketa, ndërsa një sulm me raketë që mbante municione kasetë vrau të paktën tre persona në Dnipro.

 Zelensky akuzoi Moskën për një “strategji të qëllimshme terrori” kundër civilëve dhe infrastrukturës.

Kërkohet një përgjigje e fortë ndërkombëtare,” shkroi ai në rrjetet sociale, duke bërë thirrje për mbështetje shtesë në mbrojtjen ajrore dhe rritje të furnizimit me armë për Ukrainën.