
Policia holandeze përdori gaz lotsjellës dhe makina uji për të shpërndarë protestuesit anti-imigracion në Hagë këtë të shtunë, pasi demonstrata degjeneroi në dhunë.
Sipas autoriteteve lokale, 30 persona u arrestuan dhe dy oficerë policie mbetën të plagosur.
Pamjet filmike po rishikohen dhe nuk përjashtohen arrestime të tjera në ditët në vijim.
Mijëra persona iu bashkuan protestës së organizuar nga një aktivist i ekstremit të djathtë, duke kërkuar politika më të ashpra kundër emigracionit dhe kufizime ndaj azilkërkuesve, më pak se një muaj para zgjedhjeve kombëtare.
Grupe të mëdha demonstruesish, duke valëvitur flamuj holandezë dhe simbole të lidhura me të djathtën ekstreme, u përplasën dhunshëm me policinë, duke hedhur gurë dhe shishe, raportoi NOS, përcjell The Guardian.
Një makinë policie u dogj, ndërsa një grup bllokoi për pak kohë një autostradë pranë vendit të protestës.
Mediat vendase bënë të ditur se protestuesit thyen disa xhama në selinë e partisë qendër të majtë D66.
Kreu i kësaj partie, Rob Jetten, reagoi ashpër: “Plehra. Duart larg partive politike. Nëse mendoni se mund të na trembni, gaboheni. Ne nuk do ta lëmë kurrë vendin tonë të bukur në duart e ekstremistëve të dhunshëm.”
Një grup më i vogël protestuesish u drejtua drejt kompleksit të Parlamentit holandez, i cili është i rrethuar për shkak të rinovimeve.
Politikani populist anti-imigracion, Geert Wilders, i cili fitoi zgjedhjet e fundit dhe vijon të kryesojë sondazhet përpara votimit të 29 tetorit, ishte i ftuar të fliste në protestë, por nuk mori pjesë.
Në vend të kësaj, ai dënoi dhunën në platformën X, duke e cilësuar përdorimin e forcës kundër policisë si “plotësisht të papranueshëm” dhe duke i quajtur të përfshirët “idiotë” dhe “plehra”.