
Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, ka deklaruar se garancitë e sigurisë për Ukrainën – që po diskutohen nga e ashtuquajtura “koalicioni i vullnetarëve” – do të detyronin vendet evropiane nënshkruese të përballeshin ushtarakisht me Rusinë, nëse Moska do të ndërmerrte sërish agresion kundër Ukrainës.
“Garancitë e sigurisë, në thelb, janë një mjet parandalues. Dhe që të jenë të besueshme, ato duhet të jenë të forta,” tha Stubb në një intervistë për The Guardian, zhvilluar në Helsinki para nisjes për në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York.
Ai theksoi se këto garanci do të hynin në fuqi vetëm pas një marrëveshjeje të ardhshme mes Kievit dhe Moskës, duke nënvizuar se Rusia nuk ka asnjë të drejtë vetoje mbi formatin e tyre.
“Rusia nuk ka asnjë fjalë për vendimet sovrane të një shteti të pavarur… Nuk është çështje nëse Rusia do të pranojë apo jo. Sigurisht që nuk do, por kjo nuk ka rëndësi,” u shpreh presidenti finlandez, përcjell The Guardian.
Pas takimit të Parisit muajin e kaluar, presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi se 26 shtete ishin zotuar të ishin pjesë e një “forcë sigurie” në Ukrainë, duke përfshirë praninë “në tokë, në det ose në ajër”.
Por Stubb paralajmëroi se këto angazhime do të ishin të kota nëse nuk shoqërohen me forcë reale.
“Ne nuk mund të bëjmë garanci të zbrazëta. Ato duhet të jenë reale dhe Rusia duhet ta dijë këtë,” theksoi ai.
Stubb ka dalë në pah si një figurë kyçe në përpjekjet për paqe, duke ndërtuar marrëdhënie të ngushta me presidentin amerikan Donald Trump – shpesh edhe përmes raundeve të golfit. Ai pranoi se Trump ka shprehur pakënaqësi ndaj Vladimir Putinit, por paralajmëroi se progresi është i ngadalshëm dhe gradual.
“Nuk është një bazukë e madhe, është hap pas hapi,” tha ai, duke shtuar se Finlanda nuk ka luksin të përplaset me Uashingtonin: “Është detyra e presidentit të Finlandës të merret vesh me presidentin e Shteteve të Bashkuara, kushdo qoftë ai.”
Javën e kaluar, Stubb vizitoi Kievin dhe u takua me presidentin Volodymyr Zelenskyy.
Pas vizitës, ai tha se është i bindur se Ukraina mund të luftojë një luftë të gjatë nëse është e nevojshme, duke hedhur poshtë pretendimet se vendi është në prag të rrëzimit si “lajme të rreme”.
Presidenti finlandez theksoi se një “backstop amerikan” do të ishte i domosdoshëm për t’i dhënë fuqi reale garancive të sigurisë, megjithëse pranoi se ende nuk ka një qartësi se çfarë është gati të ofrojë administrata Trump.
Megjithatë, të gjitha këto diskutime mbeten hipotetike, pasi përparimi varet nga një marrëveshje e mundshme paqeje.
Zelenskyy ka shprehur gatishmëri për t’u takuar me Putinin, siç ka kërkuar Trump, por Kremlini ka vendosur kushte të ashpra dhe ka refuzuar çdo takim që nuk zhvillohet në Moskë.
“Ky është një luftë shumë e madhe për Putinin që ai të lejojë ta humbasë. Ai ka bërë ndoshta gabimin më të madh strategjik që nga fundi i luftës së ftohtë, dhe ka dështuar në të gjitha objektivat e tij. Çështja është kur do të vijë në tryezën e negociatave, shpresojmë sa më shpejt, por për momentin jam mjaft pesimist,” përfundoi Stubb.