
Këngëtari britanik Morrissey ka anuluar dy koncerte në SHBA për shkak të një “kërcënimi të besueshëm ndaj jetës së tij”, sipas një njoftimi të publikuar në faqen e tij zyrtare në Facebook.
Ish-vokalisti i grupit të famshëm “The Smiths”, 66-vjeçar, ishte planifikuar të performonte të premten në mbrëmje në Foxwoods Resort Casino në Mashantucket, Connecticut, dhe të shtunën në MGM Music Hall në Fenway, Boston, Massachusetts, përcjell Guardian.
Në një deklaratë të publikuar të premten në mbrëmje, thuhej:
“Në ditët e fundit ka pasur një kërcënim të besueshëm ndaj jetës së Morrissey. Nga një kujdes i shtuar për sigurinë e artistit dhe të audiencës, koncerti i sotëm në Foxwoods është anuluar. Ju falënderojmë për mirëkuptimin.”
Një tjetër postim konfirmoi se të dy koncertet janë anuluar për shkak të “ngjarjeve të fundit dhe nga kujdesi për sigurinë e artistit dhe grupit të tij muzikor”.
Morrissey, emri i plotë i të cilit është Steven Patrick Morrissey, është aktualisht në një turne botëror dhe pritet të performojë të martën në Philadelphia, Pennsylvania. Më pas do të vijojë me koncerte në disa shtete të tjera të SHBA-së, përpara se të udhëtojë në Meksikë për një koncert më 31 tetor.
Pak ditë më parë, një 26-vjeçar nga Ottawa, Kanada, u la i lirë me kusht, pasi akuzohet se ka kërcënuar për ta vrarë Morrissey gjatë performancës së tij në atë qytet. Sipas gazetës Ottawa Citizen, i riu kishte postuar në rrjetin social Bluesky një mesazh më 4 shtator, ku thuhej:
“Steven Patrick Morrissey, kur të performosh në TD Place këtu në Ottawa javën e ardhshme më 12 shtator 2025 rreth orës 21:00, unë do të jem në publik dhe do të përpiqem të të qëlloj disa herë dhe të të vras me një armë shumë të madhe që e posedoj në mënyrë të paligjshme.”
Pavarësisht këtij kërcënimi, koncerti në Ottawa u mbajt sipas planifikimit.
Në njoftimet në rrjetet sociale nuk janë dhënë detaje të mëtejshme për “ngjarjet e fundit” që përmenden si arsye për anulimet. Megjithatë, ky zhvillim vjen pak kohë pas vrasjes së aktivistit të njohur konservator Charlie Kirk, i cili u qëllua për vdekje gjatë një aktiviteti publik në Utah javën e kaluar.
Ndërkohë, Morrissey bëri të ditur këtë muaj se ka vendosur të shesë të gjitha të drejtat dhe interesat e tij lidhur me grupin “The Smiths”.
Në një njoftim të publikuar në faqen e tij zyrtare Morrissey Solo, me titullin “A Soul for Sale”, thuhet se për shitje janë vënë: emri i grupit, dizajnet origjinale, të drejtat për mallra të markës, kompozimet muzikore e letrare, si dhe kontratat për publikime dhe regjistrime muzikore.