Vendosni fjalën kyçe....

Xi i hapur për negociata me SHBA mbi TikTok, pas bisedës me Trump


Presidenti i Kinës, Xi Jinping, i ka thënë presidentit amerikan Donald Trump se Pekini është i gatshëm të zhvillojë negociata mbi aplikacionin TikTok, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara duhet të ndalojnë vendosjen e tarifave të njëanshme tregtare.

Deklarata u bë publike nga agjencia shtetërore kineze Xinhua, pas telefonatës së parë mes dy liderëve që nga muaji qershor, e cila u përshkrua si “pozitive dhe konstruktive”.

Çështja e TikTok ishte në krye të axhendës, ndërkohë që Kongresi amerikan ka urdhëruar mbylljen e aplikacionit nëse ai nuk shitet tek një kompani amerikane, sipas Reuters.

Deri tani, mbetet e paqartë nëse të dyja palët kanë arritur ndonjë marrëveshje konkrete.

“Sa i përket TikTok, qëndrimi i Kinës është i qartë: qeveria kineze respekton vullnetin e kompanive dhe i mirëpret ato të zhvillojnë negociata biznesi mbi bazën e rregullave të tregut, për të arritur një zgjidhje në përputhje me ligjet dhe rregulloret kineze dhe me një balancë interesash,” theksohet në përmbledhjen e takimit nga Xinhua.

Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë ende një reagim lidhur me bisedën.

Biseda vjen në një kohë kur marrëdhëniet SHBA-Kinë mbeten të tensionuara, pavarësisht raundeve të njëpasnjëshme të bisedimeve tregtare.