Vendosni fjalën kyçe....

Koalicioni i udhëhequr nga SHBA vret një nga drejtuesit kryesorë të ISIS në Siri



Koalicioni ndërkombëtar i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara njoftoi se më 19 shtator ka vrarë një militant të lartë të grupit ekstremist Shteti Islamik (ISIS) gjatë një operacioni në Siri.

I identifikuar si Omar Abdul-Qader, i njohur me nofkën Abdul-Rahman al-Halabi, ai ishte përgjegjës për planifikimin e sulmeve kundër objektivave në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, përcjell REL.

Sipas Komandës Qendrore të ushtrisë amerikane (CENTCOM), Abdul-Qader përbënte një rrezik të drejtpërdrejtë për SHBA-në dhe ishte një nga figurat kyçe në operacionet e jashtme të ISIS-it.

“Ne nuk do të ndalemi në ndjekjen e terroristëve që synojnë të sulmojnë Shtetet e Bashkuara, forcat tona, ose aleatët tanë”, u shpreh admirali Brad Cooper, komandant i CENTCOM.

Agjencia irakiane për kundërterrorizëm, e cila ndihmoi në lokalizimin e tij, konfirmoi se Abdul-Qader kishte marrë pjesë në organizimin e sulmit vetëvrasës ndaj Ambasadës iraniane në Bejrut në vitin 2013, ku u vranë mbi 20 persona, përfshirë edhe atasheun kulturor të Iranit.

Sipas Vëzhguesit Sirian për të Drejtat e Njeriut (SOHR), operacioni i forcave amerikane u zhvillua në provincën Hama në Siri. Grupi konfirmon se militantët e ISIS-it, ndonëse të dobësuar, vazhdojnë të kenë celula aktive në rajon.

Rami Abdurrahman, drejtues i SOHR, tha se Abdul-Qader ishte shtetas sirian, i arrestuar më parë në Liban dhe më pas i dorëzuar autoriteteve të Damaskut. Ai ishte në burg deri në dhjetor të vitit të kaluar, kur pas rrëzimit të presidentit Bashar al-Assad, arriti të arratiset dhe të fshihet.

ISIS-i, i cili në kulmin e tij më 2014 kontrollonte territore të mëdha në Siri dhe Irak, u mposht ushtarakisht në Irak më 2017 dhe në Siri më 2019. Megjithatë, celulat e tij ende përbëjnë kërcënim për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare.