
Rreth 200 mijë civilë kanë ikur nga qyteti i Gazës që prej nisjes së ofensivës tokësore të Izraelit, ndërsa forcat izraelite avancojnë me taktikën e ashtuquajtur “shqyrtimi shtresë pas shtrese”, që ka prioritet sigurinë e trupave.
Ndërkohë, grupi militant ka kaluar në taktika godit-shpëto. Pavarësisht humbjeve, vendasit thonë se mbetet “loja e vetme në qytet”.
Sipas autoriteteve të sigurisë, gjysma e banorëve të qytetit ka braktisur shtëpitë, mes tyre 200 mijë vetëm në tre ditët e fundit, përcjell Ynet.
KY vlerësim bie ndesh me deklaratat e kryeministrit Benjamin Netanyahu, i cili e ka përshkruar qytetin e Gazës si “fortesën e fundit të Hamasit”.
Zyrtarë ushtarakë theksojnë se në praktikë nuk ka më fortesa të fiksuara në kuptimin tradicional.
Wesam Afifa, ish-drejtor ekzekutiv i televizionit Al Aqsa të Hamasit, i tha The New York Times: “Ajo që ka mbetur sot janë qeliza të vogla, të lëvizshme, që luftojnë me stil guerilas.”
Taktikat e reja të Hamasit
Burime të sigurisë bëjnë me dije se Hamasi ka kaluar në strategji godit-shpëto, duke shmangur përplasjet e drejtpërdrejta me trupat izraelite që kanë avantazh të dukshëm ushtarak.
Militantët kanë vendosur mina rrugore, kanë fshehur eksplozivë në banesa dhe në disa raste kanë arritur t’i hedhin mbi automjetet ushtarake.
Që prej nisjes së operacionit tokësor në qytet, divizionet 98 dhe 162 kanë marrë pozicione kontrolli përreth zonës.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali Eyal Zamir, u ka udhëzuar trupave të avancojnë me metodën “shqyrtim shtresë pas shtrese”, duke vendosur sigurinë e ushtarëve mbi shpejtësinë.
Në një deklaratë të premten, IDF tha: “Trupat e Divizionit 162 vazhdojnë operacionet në qytetin e Gazës.
Ato po eliminojnë terroristë me angazhime të shpejta duke përdorur zjarr tankesh, dronë të armatosur dhe sulme ajrore, duke shkatërruar infrastrukturën terroriste dhe duke zbuluar armë në zonë.”
Hamas i shpërndarë, por jo i shkatërruar
Një zyrtar i inteligjencës rajonale i tha The New York Times se ndërsa Izraeli shtyn më thellë në qytetin e Gazës, shumica e luftëtarëve të mbetur të Hamasit pritet të shpërndahen në zona të tjera, përfshirë Deir al-Balah dhe bregdetin e Al-Mawasi.
Ai paralajmëroi se çmontimi i Hamasit mund të zgjasë me vite.
Zyrtarët izraelitë e pranojnë se, megjithë humbjet, Hamasi nuk është as rrëzuar e as mposhtur përfundimisht, gati dy vite pas masakrës së 7 tetorit.
Qëllimi i operacionit aktual, sipas tyre, është çmontimi i Brigadës së Hamasit në qytetin e Gazës – jo shkatërrimi total i grupit.
Nga qyteti i Gazës, gjenerali Zamir u tha trupave: “Qyteti përbën terren jetik për Hamasin. Detyra jonë është të mposhtim Brigadën e Hamasit këtu. Ky është një hap i rëndësishëm drejt kryerjes së misionit më të madh moral – kthimit të pengjeve dhe çmontimit të kapaciteteve ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit.”
Netanyahu ka përsëritur disa herë se fitorja ndaj Hamasit është “brenda arritjes”, përfshirë edhe para nisjes së ofensivës në qytet – një deklaratë e ngjashme me atë që bëri para hyrjes në Rafah më shumë se një vit më parë.
Propagandë dhe realitet
Vlerësimet izraelite sugjerojnë se rreth 2,500 luftëtarë të Hamasit ndodhen ende në qytetin e Gazës, tashmë përballë një rrethimi të plotë. Sipas ushtrisë, prioriteti i tyre kryesor është kapja e një ushtari izraelit për të rritur moralin.
Ndërsa trupat izraelite avancuan të enjten, krahu i armatosur i Hamasit paralajmëroi për “një ushtri kamikazësh dhe mijëra prita”. Por analistë palestinezë e konsideruan këtë si ekzagjerim.
Analisti Mohammed al-Astal, nga jugu i Gazës, tha se Hamasi po projekton forcë “për të ushtruar presion mbi Izraelin që të pranojë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës”. Ai shtoi se edhe Izraeli e mbivlerëson fuqinë e mbetur të Hamasit për të justifikuar zgjatjen e fushatës dhe zhvendosjen e civilëve.
Ndërsa Emsat Mansour, një analist i afërt me liderin e Hamasit Yahya Sinwar, pranoi: “Kur flasim për Hamasin, realisht flasim për mbetjet e Hamasit. Por, sado që të jenë dobësuar, ata mbeten loja e vetme në qytet.”