
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka rrëzuar sot kërkesën e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, për revokimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.
Tupi gjykues vendosi lënien në fuqi të masës, duke mos pranuar kërkesën e Metës për lirimin nga qelia.
Më 29 gusht, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim Metën dhe bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhin, me akuza për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë.
Sipas SPAK, gjatë hetimeve janë zbuluar skema korrupsioni dhe abuzime me pushtetin. Përveç Metës dhe Kryemadhit, përpara gjykatës do të dalin edhe tre persona të tjerë.
Seanca e parë paraprake do të zhvillohet më 25 shtator, nën drejtimin e gjyqtares Irena Gjoka, e cila do të vendosë nëse dosja kalon për gjykim, i kthehet SPAK-ut për plotësim, apo pushohet hetimi.