
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka deklaruar se shkarkimi i Erion Veliajt nga posti i kryetarit të Bashkisë Tiranë është një vendim i vonuar dhe i nxitur nga kryeministri Edi Rama përmes një procesi autoritar.
I ftuar në emisionin “Kjo Javë” me gazetaren Nisida Tufa, Bardhi theksoi se opozita ka kohë që ka kërkuar largimin e Veliajt përmes këshilltarëve të saj në Këshillin Bashkiak, por se Rama ka refuzuar ta ndërmarrë këtë hap deri më tani.
“Shkarkimi i Veliajt është i vonuar. Do të votojmë pro shkarkimit të tij, por mënyra si po ndiqet procesi — i urdhëruar nga Rama në Asamblenë e Përgjithshme — është tregues i autoritarizmit të tij, sikur kishte në kontroll edhe pushtetin lokal”, u shpreh Bardhi.
Ai shtoi se Veliaj ka paralajmëruar ta çojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, ndërkohë që Partia Demokratike ka nisur konsultimet e brendshme për emrin që do të përfaqësojë opozitën në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës.
“Këshilltarët tanë kanë kërkuar shkarkimin e tij prej kohësh, por Rama nuk donte. Sot iu tek. Kemi nisur konsultimet brenda partisë, pasi kryetari ynë ka deklaruar se nuk braktiset gara, por edhe për emrin që do të përfaqësojë më mirë opozitën në këtë garë,” tha Bardhi.