
Kultivimi i drogës në zona të thella malore vijon të mbetet shqetësim serioz në Shkodër. Policia lokale ka finalizuar operacionin e koduar “Koordinata”, duke zbuluar pesë raste të kultivimit të kanabisit në njësitë administrative Pult, Shosh, Bajzë, Shllak dhe Kastrat. Në total u gjetën dhe u asgjësuan 4639 bimë kanabisi.
Tre persona janë shpallur në kërkim në Bajzë, pasi akuzohen për kultivimin e 780 bimëve narkotike dhe për lidhje të paligjshme të energjisë elektrike për të ushqyer parcelat. Ata janë identifikuar si A. M., 57 vjeç, R. M., 30 vjeç, dhe R. M., 24 vjeç.
Ndërkohë, autorët e parcelave të tjera të gjetura në Pult, Shosh dhe Shllak mbeten ende të paidentifikuar, pasi sipërfaqet ishin në tokë publike.
Në vijim të hetimeve, Prokuroria ka marrë nën akuzë 5 kryepleq të fshatrave në zonat ku u zbuluan parcelat, për “shpërdorim detyre” dhe “moskallëzim krimi”. Dy banorë të tjerë po hetohen për moskallëzim të aktivitetit kriminal.
Vetëm në Shosh dhe Pult u gjetën 3092 bimë kanabisi, në Kastrat 1274 bimë, ndërsa në Shllak e Temal 273 bimë narkotike.
Policia e Shkodrës deklaroi se do të vijojë kontrollet në terren për të frenuar kultivimin e kanabisit në zonat malore të qarkut.