
Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të programit qeverisës në Kuvend, deklaroi se 83 mandatet e Partisë Socialiste janë një borxh i madh ndaj qytetarëve dhe kërkojnë një sjellje të re politike me vetëkritikë, ide dhe risi.
Ai përshëndeti kryetarin e ri të Kuvendit, Niko Peleshi, dhe u shpreh se mbështetja e shqiptarëve nuk shpërblehet vetëm me mandate, por me punë të përditshme.
Rama i dërgoi edhe një mesazh opozitës, duke thënë se do të ketë vëmendjen e mazhorancës nëse heq dorë nga zhurma dhe bllokimet, përndryshe prania e socialistëve në sallë do te zgjasë sa një proces votimi
“Si folësi i parë i kësaj legjislature të re, në këtë pjesë vendimtare të rrugës së shqipërisë evropiane, ti përcjell urimin tim për një drejtim sa më të suksesshëm të kuvendit, kryetarit të ri Niko Peleshi.
Urime dhe suksese. Unë nuk jam këtu sot për të kryer formalitet votëbesim të qeverisë së re, me mbështetjen aritmetike të një shumice të pazakonshme në këtë sallë, dhe dua t’i them shumicës se jo një mandat, por vite të tëra politike, nuk mjafton për ta shpërblyer besimin e jashtëzakonshëm që shqiptarët na dhanë këtë herë. 83 mandate apo mbi 50% e zgjedhësve në mbështetje janë shifra të një borxhi të jashtëzakonshëm psër mandatin e 4.
Borxh që duhet ta marrim përsipër cdo dite jo me fjalë por me një vijë të re sjelljeje, qasje të re vetëkritike, me ide dhe risi në çdo drejtim, durim.
Vullnet e energji të reja në çdo hap për suksesin e këtij mandati të ri. Pakicës dua t‘i them se nuk është puna jonë çfarë bëni dhe thoni jashtë kësaj salle, por në këtë sallë dhe në respekt të zgjedhësve tuaj, do të keni vëmendjen tonë dhe kohën që dëshironi nëse do të harroni përdorimin e trupit, të duarve, të këmbëve si argument dhe të zhurmës dhe rënies me dorë të tavolinave si alternativë.
Në të kundërt prania jonë këtu do të zgjasë sa një proces votimi. “, u shpreh Rama.