
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, deklaroi të enjten se fuqitë kryesore evropiane mund të rivendosin sanksionet ndërkombëtare ndaj Iranit deri në fund të këtij muaji, pas një raundi bisedimesh që u konsiderua joserioz nga ana e Teheranit, përcjell REL.
Në një intervistë për Channel 12 të Izraelit, Macron u shpreh: “Po. Mendoj se po, sepse lajmet e fundit nga Irani nuk janë serioze”, kur u pyet nëse rikthimi i sanksioneve është tashmë një çështje e mbyllur.
Britania, Franca dhe Gjermania – të njohura si grupi E3 – nisën në fund të gushtit një proces 30-ditor për rikthimin automatik të sanksioneve të OKB-së ndaj Iranit. Shtetet evropiane i kishin vendosur Teheranit disa kushte që duhet të përmbusheshin gjatë muajit shtator, për të shmangur rikthimin e masave ndëshkuese.
Ndër kërkesat kryesore ishte rikthimi i qasjes për inspektorët bërthamorë të OKB-së në objektet e Iranit dhe përfshirja e tij në bisedime të reja me Shtetet e Bashkuara.
Pavarësisht një telefonate mes ministrave të Jashtëm të E3, përfaqësueses së lartë të BE-së për politikën e jashtme dhe homologut iranian, nuk u arrit ndonjë përparim domethënës, megjithëse palët lanë të hapur derën për një marrëveshje të mundshme.
Ndërkohë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet të votojë të premten për një rezolutë që do të hiqte përgjithmonë sanksionet e OKB-së ndaj Iranit. Megjithatë, diplomatët vlerësojnë se rezoluta ka pak gjasa të kalojë, pasi nuk pritet të sigurojë numrin minimal prej nëntë votash dhe mund të përballet me veto nga SHBA-ja, Britania apo Franca.