Vendosni fjalën kyçe....

Erika Kirk emërohet drejtoreshë ekzekutive e Turning Point USA


Erika Kirk, e veja e Charlie Kirk, është emëruar si shefe ekzekutive dhe kryetare e re e bordit e Turning Point USA, që u themelua nga i shoqi i ndjerë.

Organizata njoftoi të enjten se ish-kreu dhe bashkëthemeluesi i ndjerë i Turning Point USA, i cili u qëllua dhe u vra në një aktivitet javën e kaluar, kishte shprehur më parë se do donte që gruaja e tij të drejtonte organizatën në rast të vdekjes së tij, shkruan The Guardian.

Turning Point USA ka lëshuar deklaratën e mëposhtme: “Mbreti Solomon shkroi se njerëzimi duhet të vihet në provë nga Zoti. Sot po përballemi me një provë të tillë, megjithatë ne gjithashtu e dimë se Zoti na ka përgatitur me gjithçka që na nevojitet për të kapërcyer këtë provë. Ishte nderi i jetës sonë të shërbenim si anëtarë të bordit në krah të Charlie-t. Charlie na përgatiti të gjithëve për një çast si ky. Ai punoi pa u lodhur për të siguruar që Turning Point USA të ndërtohej për të mbijetuar edhe në provat më të mëdha. Dhe tani, është krenaria jonë e madhe të njoftojmë Erika Kirk si drejtoreshë dhe kryetare të re të Bordit për Turning Point USA. Të gjithë ne në Turning Point USA kemi një rol të veçantë në mbajtjen e rolit të Charlie Kirk dhe në përmbushjen e vizionit të tij për të na afruar të gjithëve me Zotin tonë dhe për të nxitur një vend të begatë për brezat që do të vijnë. Siç thoshte gjithmonë Charlie, ‘Kemi një vend për të shpëtuar’. Ne nuk do dorëzohemi dhe as nuk do  gjunjëzohemi para së keqes. Ne do vijojmë. Përpjekja për të shkatërruar veprën e Charlie-t do të bëhet mundësia jonë për ta bërë atë më të fuqishme dhe më të qëndrueshme se kurrë më parë.”