Vendosni fjalën kyçe....

Cilat ishin fjalët e fundit të presidentit të parë, çekët presin me kërshëri çeljen e zarfit sekret


Qytetarët e Çekisë presin ethshëm zgjidhjen e një misteri të gjatë: Cilat ishin fjalët e fundit të presidentit të parë të vendit, Tomas Garrigue Masaryk?

Mendimet e fundit të burrështetasit, i cili qeverisi Republikën Çekosllovake nga viti 1918 deri në vitin 1935, besohet se janë regjistruar nga djali i tij Jan Masaryk pak para vdekjes së tij në shtator 1937 dhe janë vulosur në një letër që atëherë, sipas radios publike çeke, e cila ka krijuar një seksion të veçantë në faqen e saj të internetit për të mbuluar hapjen e zarfit të premten.

Historiania Dagmar Hajkova, i tha stacionit radiofonik se Jan mendohet se i ka mbajtur shënim fjalët e babait të tij që po vdiste, ndërsa ai ishte ulur pranë shtratit të tij.

“Nëse e përfytyroni çastin, ai mund ta ketë shkruar në gjunjë, me nxitim, me nervozizëm, kështu që shkrimi i dorës mund të mos jetë i lexueshëm. Mund të jetë gjithashtu copa-copa dhe jo në formën e një fjalimi koherent”, tha ajo.

Masaryk kishte qenë në gjendje të keqe shëndetësore që nga viti 1934, tha Hajkova, kështu që ekziston mundësia që letra të datojë më herët se viti 1937, kur mund të jetë menduar se ai mund të mos jetojnte shumë më gjatë, shkruan CNN.

Ndërsa nuk dihet pothuajse asgjë për përmbajtjen e letrës, udhëtimi i saj i mëvonshëm është dokumentuar mirë.

Kur Jan Masaryk vdiq në rrethana të dyshimta vetëm disa ditë pas grushtit të shtetit komunist në vitin 1948, ai ia la letrën sekretarit të tij, Antonín Sum. Sum e nxori atë kontrabandë jashtë vendit, i cili ishte bërë një shtet satelit sovjetik pas Luftës së Dytë Botërore.

Sum dhe Lumír Soukup, një tjetër ish-sekretar personal i Jan Masaryk, e mbajtën letrën të sigurt për dekada të tëra përpara se t’ia dhuronin Arkivit Kombëtar Çek në vitin 2005 me kusht që të mbetej e vulosur për 20 vjet.

Kjo periudhë përfundon më 19 shtator, që do të thotë se çekët më në fund do zbulojnë se çfarë tha presidenti i tyre i parë pak para se të vdiste.