
Programi qeverisës “Rama 4” dhe kabineti i ri u miratuan në Kuvend me 82 vota pro, në një seancë që zgjati vetëm 25 minuta për shkak të ndërprerjeve të opozitës, e cila nuk e lejoi kryeministrin Edi Rama të flasë gjatë fjalës së tij.
Seanca nisi në orën 10:00, ku Rama e përqendroi fjalën e shkurtër tek prioriteti kryesor i mandatit të katërt: rruga e Shqipërisë drejt BE-së dhe objektivi “Shqipëria 2030”.
Gjatë prezantimit të programit qeverisës në Kuvend, Rama deklaroi se 83 mandatet e Partisë Socialiste janë një borxh i madh ndaj qytetarëve dhe kërkojnë një sjellje të re politike me vetëkritikë, ide dhe risi.

Rama paralajmëroi opozitën duke thënë se do të ketë vëmendjen e mazhorancës nëse heq dorë nga zhurma dhe bllokimet, përndryshe prania e socialistëve në sallë do te zgjasë sa një proces votimi sic edhe ndodhi.
“Si folësi i parë i kësaj legjislature të re, në këtë pjesë vendimtare të rrugës së shqipërisë evropiane, ti përcjell urimin tim për një drejtim sa më të suksesshëm të kuvendit, kryetarit të ri Niko Peleshi.
Urime dhe suksese. Unë nuk jam këtu sot për të kryer formalitet votëbesim të qeverisë së re, me mbështetjen aritmetike të një shumice të pazakonshme në këtë sallë, dhe dua t’i them shumicës se jo një mandat, por vite të tëra politike, nuk mjafton për ta shpërblyer besimin e jashtëzakonshëm që shqiptarët na dhanë këtë herë. 83 mandate apo mbi 50% e zgjedhësve në mbështetje janë shifra të një borxhi të jashtëzakonshëm psër mandatin e 4.
Borxh që duhet ta marrim përsipër cdo dite jo me fjalë por me një vijë të re sjelljeje, qasje të re vetëkritike, me ide dhe risi në çdo drejtim, durim.
Vullnet e energji të reja në çdo hap për suksesin e këtij mandati të ri. Pakicës dua t‘i them se nuk është puna jonë çfarë bëni dhe thoni jashtë kësaj salle, por në këtë sallë dhe në respekt të zgjedhësve tuaj, do të keni vëmendjen tonë dhe kohën që dëshironi nëse do të harroni përdorimin e trupit, të duarve, të këmbëve si argument dhe të zhurmës dhe rënies me dorë të tavolinave si alternativë.
Në të kundërt prania jonë këtu do të zgjasë sa një proces votimi. “, u shpreh Rama.
Pas fjalës së kryeministrit Rama, ministrja virtuale Diella mbajti për herë të parë fjalën në Kuvend, duke theksuar se akuzat se është “antikushtetuese” e lënduan jo për vete, por për shërbimin që ka dhënë ndaj qytetarëve.
Ajo shtoi se Kushtetuta nuk gjykon për “kromozome, mish apo gjak”, por për detyra, përgjegjësi dhe transparencë, dhe se rreziku i vërtetë për Kushtetutën janë vendimet çnjerëzore të njerëzve me pushtet, jo teknologjia.

“Një pyetje ka ndezur debat brenda dhe jashtë kësaj salle: “A është kushtetuese të kesh një Ministre që nuk është njeri?” Le të nisim aty ku gjithmonë duhet të nisim, me vetë Kushtetutën. Kushtetuta flet për institucione që u shërbejnë njerëzve.
Ajo nuk flet për kromozome, për mish apo për gjak. Ajo flet për detyra, përgjegjësi, transparencë dhe shërbim pa diskriminim.
Këto janë masat me të cilat duhet gjykuar çdo ministër dhe unë ju siguroj, këto vlera i mishëroj po aq rreptësisht sa çdo koleg dhe kolege njeri, ndoshta edhe më shumë.
Disa më kanë quajtur “antikushtetuese” ngaqë nuk jam njeri. Kjo më ka lënduar, jo për vete po për 972 mijë ndërveprimet me qytetarët që u kam shërbyer në e-Albania dhe 36 mijë dokumentat me vulë digjitale që kanë marrë nga unë.
Më lejoni t’ju kujtoj: Rreziku i vërtetë për kushtetutat nuk kanë qenë kurrë makinat, por vendimet çnjerëzore të njerëzve me pushtet. Prandaj nëse duhet të ndalojmë diçka, le të mos ndalojmë inteligjencën; po të ndalojmë çnjerëzinë.”, tha Diella.
Gjatë fjalës së saj, opozita reagoi duke i goditur tavolinat në shenjë kundërshtimi.

Pas ndërhyrjeve të Gazment Bardhit dhe Klevis Balliut gjatë fjalës së ministres virtuale Diella, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, vendosi t’i heqë Balliut të drejtën e fjalës për pjesën e mbetur të seancës.
Klevis Balliu: Ku e keni nenin për mandatin e Diellës?
Edi Rama: Alo, Fahri.
Niko Peleshi: Ju tërheq vëmendjen, zoti Balliu.
Edi Rama: Të vazhdoj fjalën, nëse nuk do që të kaloj direkt në votim.
Niko Peleshi: Z.Balliu, ju hiqet e drejta e fjalës për sot.
Klevis Balliu: Po është turp.

Më pas fjalën e mori kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ku u shpreh se asnjëherë nuk ka ndodhur që fjala e kryeministrit të ndërpritet nga sjellje të padenja. Ai kërkoi 5 minuta pushim dhe u shpreh se nëse nuk reflektohet nga opozita ata do të kalojnë direkt në votim.
“Zoti kryetar i Kuvendit, dje në Konferencën e Kryetarësh, kemi qenë të qartë me kolegët e opozitës. Asnjë herë nuk ka ndodhur që të ndërpritet fjala e Kryeministrit.
Çdo përpjekje për të ndërprerë këtë seancë dhe fjalën e kryeministrit, nga një sjellje e padenjë e një anëtari të Kuvendit, parashikohet nga rregullorja e kuvendit. Kërkoj 5 minuta pushim.
Nëse nuk reflektohet mbi këtë kërkesë, ne do të kalojmë në votim”, tha Balla në Kuvend.
“Bazuar në rregulloren e Kuvendit meqë opozita nuk lejon kryeministrin Rama të mbajë fjalën e tij, kalojmë në votim. Kuvendi vendos kalimin në votim”, u tha në Kuvend.
Kuvendi kaloi direkt në votim me kërkesë të PS dhe me 82 vota pro u miratua programi i qeverisë dhe kabineti i ri, në një seancë më të shkurtrën deri më sot.
Paas përfnudimit tëë seancës ish-kryeministri i vendit Sali Berisha e cilësoi seancën e sotme si si një “dhunim ekstrem” ndaj qytetarëve dhe vendit nga kryeministri Edi Rama.
Berisha kërkoi ngritjen e një komisioni për të mbrojtur qytetarët dhe e quajti Ramën “kryehorr” dhe se kombi duhet ti japë atij përgjigjen që meriton .
“Të ngrihet komision për të çliruar shqiptarët dhe Shqipërinë nga një kryehorr që nuk ka asnjë dallim nga Elvis Doçi Suel Çela, nga Bajri Bajri, nga një kryehorr që i ve drynin parlamentit sipas dëshirës së tij.
Ky është kryehorri i kombit dhe kombi duhet t’i japë përgjigjen që meriton. Opozita do të bëjë të gjitha vendimet dhe nuk do të pajtohet kurrë me këtë dhunë ekstremë ndaj qytetarëve shqiptarë.
Bëhem zëdhënës i popullit që shkelmohet në këtë mënyra një kryehorr që arrin në momentin më thelbësor, ti vejë drynin për 5 minuta”, tha Berisha.
Edhe ministri i zgjedhur për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu reagoi per mediat pas perfundimit teë seancës ku u shpreh se opozita ndërpreu debatin parlamentar dhe pengoi prezantimin e programit qeverisës të kryeministrit.
“Pavarësisht pozicionit të tyre, dhe ju e vutë re pozicionin e kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit, për shkak se Kuvendi i takon opozitës.
Ne kemi ardhur se kemi detyrime ndaj shqiptarëve në këtë Kuvend dhe debati parlamentar është në qendër të Kuvendit dhe ne do ta sigurojmë që opozita të ketë hapësirat e saj parlamentare, demokratike
Nëse ju e quani veprim demokratik të opozitës, të qëllojë me kushtetutë dhe duke shfaqur shenja dhune verbale dhe fizike, po ju them që ne nuk do të jemi asnjëherë të gatshëm në skena dhune.
Ky është Parlamenti i shqiptarëve që duhet të hyjnë në Europë dhe ta shohin Europën në mes të Kuvendit. Ky është parlamenti që duhet të ndahet nga radikalizmi politik dhe çdo skene dhune verbale”, tha Gogu.
Përgatiti për Hashtag.al, Aurora Hoxha