Vendosni fjalën kyçe....

Ukraina pritet të marrë 3.5 miliardë dollarë fonde për blerjen e armëve nga SHBA


Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, njoftoi se Ukraina pritet që gjatë muajit të ardhshëm të ketë rreth 3.5 miliardë dollarë në fondin PURL, i krijuar për të blerë armë, municione dhe pajisje nga Shtetet e Bashkuara, në kuadër të mbështetjes për luftën kundër pushtuesit rus, përcjell REL.

“Ne kemi marrë më shumë se 2 miliardë dollarë nga partnerët tanë, dhe presim fonde shtesë në tetor, që do të arrijnë rreth 3.5–3.6 miliardë dollarë”, tha Zelensky gjatë një konference për shtyp në Kiev me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.

Ai nuk dha detaje të plota për dërgesat e para, por theksoi se ato do të përfshijnë raketa për sistemet Patriot dhe municione për sistemet HIMARS, të cilat forcojnë ndjeshëm kapacitetin mbrojtës dhe sulmues të ushtrisë ukrainase.

Ndërkohë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, përsëriti gatishmërinë e Rusisë për bisedime paqësore, por Moska ka kundërshtuar propozimet kryesore, duke mbajtur bisedimet për paqe të ngecura. Sulmet ajrore ruse gjatë natës kanë shkaktuar ndërprerje në shërbimet hekurudhore dhe energjetike, ndërsa një bombë goditi një qytet në rajonin e Hersonit, duke plagosur tri gra dhe një vajzë 3-vjeçare.