Vendosni fjalën kyçe....

PS nis procedurat për shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryebashkiakut të Tiranës


Këshilli Bashkiak i Tiranës do të mblidhet të martën, më 23 shtator, ku këshilltarët socialistë pritet të kërkojnë zyrtarisht shkarkimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Arsyetimi ligjor lidhet me mungesën e tij për më shumë se tre muaj në krye të detyrës, duke iu referuar pikës “c”, nenit 62 të ligjit “Për vetëqeverisjen vendore”.

Vendimi u mor gjatë një mbledhjeje të këshilltarëve socialistë në selinë e Partisë Socialiste. Ky është hapi i parë zyrtar për nisjen e procedurave ndaj Veliajt, i cili ndodhet në paraburgim prej 10 shkurtit. Pas miratimit nga Këshilli Bashkiak, procedura kalon në Këshillin e Ministrave, ndërsa vetë Veliaj do të ketë 15 ditë kohë për ta ankimuar në Gjykatën Kushtetuese.

Kjo lëvizje vjen pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e PS-së, ku u shpreh se “kryeqyteti nuk mund të presë më” për punët që duhen bërë. Ai propozoi gjithashtu Ogerta Manastirliun si kandidate të Partisë Socialiste për kryebashkiake të Tiranës.